Behrami: Më mungon Italia, por nuk kthehem

16/03/2009 10:25

Në fillim të këtij sezoni, Valon Behrami u largua nga Lacio për të vazhduar karrierën në Premiershipin anglez me Uest Hemin.

Vetëm pak muaj në kampionatin më të fortë në botë mjaftuan që ai të tërhiqte vëmendjen e mjaft klubeve të mëdha në kontinent.

Njëra prej të interesuarave ishte Roma e Luçiano Spaletit, rivalja e tij e madhe në periudhën kur aktivizohej te Lacio. “Pasi u largova nga Lacio, për mua do të ishte shumë e vështirë që të kthehem sërish në kampionatin italian, mbi të gjitha te një skuadër si Roma”, deklaroi Behrami.

“Tani jetoj në Londër, më pëlqen shumë vendi dhe nuk kam ndërmend të largohem nga Anglia. A më merr malli për Italinë? Po, natyrisht. Jam ndjerë shumë mirë atje dhe të gjithë ishin të sjellshëm me mua, megjithatë e ndjeva se kishte ardhur koha që të provoja një sfidë tjetër. Besoj se Premiershipi është e tashmja dhe e ardhmja ime”.

Më 1 mars Behrami u dëmtua në ligamentet e gjurit dhe për shkak të këtij problemi kosovari me pasaportë zvicerane nuk do të luajë deri në fund të sezonit. Kjo i jep kohë që të shohë derbin e Romës gjatë muajit të ardhshëm (11 prill): “Do ta ndjek atë ndeshje, pasi kam ende shumë miq te Lacio. Do të bëj tifo për ata, pasi fitorja do të ishte shumë e rëndësishme për synimet e bardhekaltërve që të kualifikohen në Champions”.

Top Channel