Alonso, aksident i frikshëm në Jerez

16/03/2009 10:25

Fernando Alonso është bërë protagonist i një aksidenti të frikshëm me njëvendëshen e tij Reno R29, gjatë testimeve në cirkuitin andaluzian te Jerezit.

Por, për fat të mirë, përveç momenteve të ankthit, përplasja me muret rrethuese të pistës ka kaluar pa asnjë pasojë fizike për dy herë kampionin e botës.

Sipas faqes elektronike të gazetës “As”, Alonso ka filluar xhirot testuese me makinën e tij në orën 09:10 të mëngjesit të djeshëm dhe pasi humbi kontrollin e makinës u përplas me barrierën mbrojtëse në kthesën numër 8. Aksidenti ka ndodhur për shkak të prishjes së një amortizatori.

Provat u ndërprenë për afro një orë e gjysmë, pas ndërhyrjes së stafit mjekësor dhe stjuardëve, që pastruan pistën. Provat rifilluan, ndërkohë që koha më e shpejtë mbetet ajo e brazilianit Rubens Barrikelo me Braun GP, i cili e ka përshkruar cirkuitin me kohën 1’20”124.

Top Channel