Ylli Ndroqi, vlerësohet si promotori i vitit në Evropë

13/03/2009 09:05

Pas titujve të fituar në duele, tashmë Kreshnik Qato vlerësohet edhe jashtë ringut.

Boksieri shqiptar ka spikatur në çmimet e akorduara për zonën e Evropës, nga WBF (World Boxing Foundation), e cila është njëra prej katër federatave më të njohura në botë. 31-vjeçari, i cili mban brezin e kampionit të botës në peshën e mesme të versionit WBF, është shpallur “Boksieri më i Mirë i Vitit 2008” për këtë federatë.

Në rezultatet e publikuara në faqen zyrtare të WBF-së, sfida e 4 prillit 2008, ndërmjet Qatos dhe portugezit Vitor Sa është zgjedhur edhe si ndeshja më e mirë në zonën evropiane. Në pallatin e sportit “Asllan Rusi”, boksieri durrsak që jeton dhe stërvitet në Angli, fitoi titullin kampion.

Ai dominoi përballë një kundërshtari të nivelit të lartë dhe në fund fitoi me pikë, pas vendimit unanim të gjyqtarëve. Në atë rast, Qato mori edhe komplimentet e presidentit të World Boxing Foundation, Mik Krauçer. Në ato çaste feste, kreu i federatës botërore e cilësoi atë triumf si “një fitore shumë të rëndësishme për vetë Kreshnikun në radhë të parë. Me këtë rezultat, ai konfirmohet si boksier botëror, ndërsa Shqipëria futet në hartën e boksit botëror profesionist”.

Dominimi i vendit tonë në zonën evropiane u plotësua nga çmimi i fituar prej sponsorit të Kreshnik Qatos, Ylli Ndroqi. Ai u shpall promotori i vitit në kontinent. Edhe Kasandra Uajt, kompania e së cilës organizoi ndeshjen e 20 dhjetorit 2008, ndërmjet Qatos dhe amerikanit David Estrada në Uashington, është shpallur si promotorja e vitit në kontinentin amerikan.

Top Channel