Partizani, në mbrojtje të trajnerit Duro

11/03/2009 09:45

Akuzat e presidentit të Teutës, Edmond Hasanbelliu, sipas të cilit “trajneri i Partizanit, Shpëtim Duro, nëpërmjet lojtarëve të tij ka tentuar të manipulojë rezultatin e ndeshjes, në mënyrë që ajo të mbyllej në barazim”, kanë sjellë reagimin e klubit kryeqytetas.

Nëpërmjet një deklarate për shtyp, të kuqtë hodhën poshtë aludimet kundër stafit teknik dhe futbollistëve, duke konfirmuar mbështetjen e plotë për skuadrën.

Aty theksohet se klubi nuk është përfshirë asnjëherë në fiksime rezultatesh, pavarësisht situatave të ndryshme që ka kaluar, si në sezonet kur luftonte për titull, ashtu edhe në këto momente, kur gara për mbijetesë është bërë shumë e fortë.

“Pasi jemi njohur me deklaratat e presidentit të Teutës, Edmond Hasanbelliu, kërkojmë të theksojmë se FK Partizani asnjëherë nuk është përfshirë në fiksime rezultatesh, pavarësisht situatave: si në rastet kur kemi qenë pretendentë për të fituar trofe, ashtu edhe sot, në këtë periudhë të vështirë që po kalojmë”, citohej në qëndrimin zyrtar të “demave”.

Më tej, klubi ka shprehur mbështetjen për punën e trajnerit Shpëtim Duro. Prej emërimit të ish-ndihmësit të Oto Bariç në Kombëtaren shqiptare, skuadra legjendare ka filluar të shpresojë për qëndrimin në Kategorinë Superiore. Ai ka ditur që edhe në momentet e krizës financiare të motivojë lojtarët dhe t’i drejtojë ata drejt rezultateve që në këto javët e fundit do t’i kishin zili edhe skuadrat kryesuese të kampionatit.

“Mbështesim stafin tonë teknik, me në krye trajnerin Duro, për punën e bërë dhe korrektësinë që e karakterizon, duke u garantuar se asnjë anëtar nuk është përshirë dhe nuk do të përfshihet në fiksime rezultatesh. Lojtarët e Partizanit duhen falënderuar për korrektësinë dhe shpirtin sportiv që po tregojnë në këtë kampionat”, vazhdonte më tej deklarata.

Aktualisht, kryeqytetasit renditen në vendin e nëntë, me 25 pikë të grumbulluara në 23 takime. Rezultatet mund të kishin qenë më të mira pa gabimet e gjyqtarëve dhe në këtë pikë, drejtuesit e klubit kalojnë në kundërsulm: “Ndeshja me Teutën ishte shumë korrekte, si në fushë edhe jashtë saj, ku për fat të keq nuk morëm rezultat pozitiv edhe prej gabimeve foshnjarake të arbitrit, i cili akordoi për vendasit një penallti që do të mbahet mend gjatë.

Garantojmë të gjithë sportdashësit, tifozët e kuq, drejtuesit më të lartë të futbollit në vend, si dhe ekipet e Superiores, se kurrë nuk duhet të vënë në diskutim rezultatet e fundit të arritura nga Partizani, por duhen parë me më shumë kujdes penalizimet nga gjykimi. Ne do të luftojmë me ndershmëri deri në fund, për të siguruar qëndrimin në elitë dhe duke besuar vetëm tek aftësitë drejtuese të stafit dhe te potenciali i lojtarëve tanë”.

Top Channel