Kupa, sot njihen 8 gjysmëfinalistët

11/03/2009 10:05

Shpresa për të rrëmbyer trofeun e parë të sezonit, Kupën e Shqipërisë, do të zbresë sot në fushë më të mirët e këtij evenimenti në aktin e dytë të çerekfinaleve të kompeticionit.

 Ndërsa në kampionat janë ravijëzuar pretendentët: Tirana, Vllaznia, Dinamo, sot njëra nga dy të fundit do të duhet t’i thotë lamtumirë Kupës. Shorteu vuri përballë shkodranët me dinamovitët, të cilët vijnë në ndeshjen e kthimit më të avantazhuar falë fitore 2-1 në takimin e parë në Loro Boriçi.

Ndërsa Tirana ka një transfertë të vështirë me Elbasanin, që si objektiv të vetëm ka kupën, çka e bën edhe më interesante këtë sfidë. Por janë edhe dy çifte të tjera, Besa-Shkumbini (1-1) dhe Partizani-Flamurtari (0-1), që kërkojnë t’i shkojnë deri në fund Kupës, me shpresën se mund t’i mundin edhe skuadrat më të forta të kampionatit.

Këta të fundit, së bashku me Elbasanin, e shikojnë fitimin e trofeut e dytë për nga prestigji në futbollin shqiptar, si trampolinën e vetme që mund t’i çojë në Kupat e Evropës.

Top Channel