Cana, lojtari i shtatë më i paguar

11/03/2009 09:55

Lorik Cana është një prej protagonistëve të padiskutueshëm të supersfidës së Ligës 1, PSG-Olimpik Marsejë, duel që njihet edhe si “derbi i Francës”.

Megjithatë, në takimin që do të luhet të dielën, më datë 15, në stadiumin “Parc des Princes”, mesfushori shqiptar mban “vetëm” vendin e shtatë mes lojtarëve më të paguar në dy klubet legjendare.

Edhe pse mban shiritin e kapitenit te marsejezët, me 189 mijë euro rrogë mujore bruto, 25-vjeçari paguhet më pak se tre kolegët Bodeuijn Zenden (263500 euro), Mamadu Niang (220000 euro) dhe Hatem Ben Arfa (200.000 euro). Ndërkohë, në radhët e parisienëve, më shumë se të gjithë përfiton 35-vjeçari Klod Makelele. Ish-mesfushori i Çelsit fiton 285000 euro në muaj (nga 450000 euro që paguhej në Londër), ndërsa pas tij vijnë Ludovik Zhuli (260000 euro) dhe Mateja Kezhman (250000 euro).

Megjithatë, Cana nuk përqendrohet shumë te shifrat financiare dhe pas dëmtimit dymujor në gju, kërkon vetëm ta fitojë sfidën kundër skuadrës ku u formua si profesionist. Kuqeziu nuk i fsheh ambiciet e Olimpik Marsejës: “Po e presim me padurim këtë ndeshje. ‘Parc des Princes’ është një impiant ideal për të luajtur futboll. Kërkojmë të fitojmë, tifozët tanë e dëshirojnë një rezultat të tillë. Këto tri pikë kundër një rivaleje të drejtpërdrejtë na shërbejnë për t’u ngjitur në krye të klasifikimit”.

Top Channel