Boks, Euroliga njeh Federatën e Kosovës

11/03/2009 10:05

Liga Evropiane e Boksit amator (Euroliga) ka pranuar Federatën Kosovare të Boksit si anëtare me të drejta të plota.

Kjo njohje i lejon boksierëve kosovarë dhe klubeve të këtij shteti, që për herë të parë të marrin pjesë në të gjitha aktivitetet dhe ligat kontinentale. Vendimi është marrë nga drejtuesit e Euroligës, në një takim të zhvilluar në Hungari.

Përfaqësuesi i FboxK-së, Abaz Syla, konfirmoi se Kosovës i lejohet pjesëmarrja në këtë ligë, duke filluar që prej muajit shtator, kur nis edicioni 2009-2010. “Jemi pranuar në Euroligë dhe do të kemi të drejtë pjesëmarrjeje prej sezonit të ri 2009/2010. Tani, boksierët kosovarë mund të ndeshen edhe për ndonjë klub tjetër”, tha ai.

Të pranishëm në këtë mbledhje ishin përfaqësues nga Hungaria, Çekia, Polonia, Austria e Sllovakia. Aty mungonin përfaqësuesit e Sllovenisë, Kroacisë, Lituanisë dhe Ukrainës, të cilat, gjithsesi, nëpërmjet shkresave zyrtare, e mbështetën kërkesën e FboxK-së për pranim në Euroligë. Në gjysmën e dytë të shkurtit 2009, Kosova është refuzuar nga Federata Botërore e Boksit (AIBA).

Top Channel