Tërbuni, greva e urisë përfundon pas 12 orësh

10/03/2009 10:05

Ka zgjatur vetëm 12 orë greva e urisë së ekipit të futbollit të Tërbunit.

Gjithçka kishte filluar në pasditen e së dielës, si protestë pas vendimit të Federatës Shqiptare të Futbollit për përjashtimin e klubit pukjan për dy vite nga aktivitetet sportive në Shqipëri, pas dhunës ndaj gjyqtarit Mentor Sopjani dhe asistentëve të tij.

Trajneri dhe të gjithë futbollistët kishin vendosur të sakrifikoheshin, duke vazhduar të pretendojnë se masa është e ekzagjeruar dhe nuk kishin asnjë faj për atë që ndodhi vetëm dy javë më parë. Por, greva e urisë është ndërprerë pas kërkesës së kryetarit të Bashkisë së Pukës, Rustem Struga.

I kontaktuar nga “Shqip” në lidhje me zhvillimet më të fundit në radhët e Tërbunit, ai konfirmoi se nëse vendimi i Komisionit të Apelit në FSHF do të jetë kundër skuadrës, atëherë greva do të rifillojë.

“U kërkova futbollistëve që të ndërpresin grevën e urisë, pasi çështja po shqyrtohet nga Apelit në federatë dhe po presim ende një përgjigje. Më parë do të presim për të mësuar se çfarë do të vendoset aty dhe nëse përgjigjja është negative, atëherë kuptohet se greva e urisë do të nisë përsëri. Ne kërkojmë të drejtën tonë dhe nëse ajo shkelet, kjo protestë do të ketë pasoja dhe do të mbahet mend në historinë e futbollit shqiptar. Të gjithë duhet ta kenë të qartë se sportdashësit e Pukës e kanë kuptuar se vepruan gabim, por kjo erdhi si pasojë e provokimit të pamoralshëm të arbitrit të ndeshjes”, deklaroi Struga.

Që prej përjashtimit, Tërbuni ka humbur dy ndeshje në tavolinë, fillimisht me Skraparin dhe me Luftëtarin në fundjavën e kaluar.

Top Channel