Not, Sidni Hoxha, medalje argjendi

10/03/2009 09:55

Një medalje argjendi dhe një rekord kombëtar mbërrijnë nga Gjermania, ku u zhvillua ditët e fundit edhe Mitingu Ndërkombëtar i Notit, në të cilin vendi ynë u ftua si pjesëmarrësi i vetëm nga Ballkani.

Ishte pikërisht notari Sidni Hoxha, njeriu që ia dhuroi Shqipërisë këto dy rezultate premtuese, edhe pse nuk ka qenë në një formë të mirë fizike, për shkak të një gjendjeje gripale.

Një gjë e tillë i ka mohuar arritjen e rezultateve të tij më të mira. Hoxha nuk ka mundur t’i afrohet rezultatit të tij më të mirë në 100 metra stil i lirë, pasi në këtë disiplinë ka fiksuar kohën 55”95. Ai zuri vendin e 28-të, ndër 100 pjesëmarrës të lindur në vitet 1991 e 1992.

Nëse notari shqiptar do të kishte arritur rekordin kombëtar, që e mban po vetë, me 52”24 të vendosur në Herceg Nov në shkurt të këtij viti, ai do të kishte zënë vendin e dytë në kategorinë e tij të moshës. Madje, do të kishte mundur të hynte edhe në finale, gjithnjë nëse do të arrinte rekordin kombëtar.

Gjithsesi nuk munguan rezultatet pozitive në disiplinat e tjera. Në turneun e zhvilluar në kryeqytetin e Gjermanisë, në Berlin, Hoxha arriti të thyejë një rekord kombëtar, atë të 50 metrave stil flutur (delfin), ku regjistroi edhe kohën 26”70. Notari shqiptar mundi të pozicionohej në vendin e 9-të në kategorinë e moshës së ditëlindjeve 1991-1992. Falë kësaj kohe, Sidni Hoxha mori 664 pikë.

Por, më i rëndësishëm është fakti se mundi të thyente rekordin kombëtar të mbajtur nga vetë ai, që ishte 27”08. Këtë rekord Sidni e kishte vendosur në kampionatin kombëtar për të rritur në vitin 2008. Ndërsa në fund do të vinte edhe medalja e argjendit.

Pikërisht në disiplinën e 50 metrave stil i lirë, Hoxha mundi të ndalte kronometrin në kohën 24”19, duke dalë i treti në grupmoshën e tij, por duke mbetur 57 të qindtat larg rekordit kombëtar që e mban vetë, me 23”62 vendosur gjithashtu në Herceg Novi të Malit të Zi këtë vit. Duhet theksuar edhe një herë se notari nuk gëzonte formë të mirë, për shkak të gjendjes gripale. Madje, në një prej disiplinave i është dashur të garojë pa nxehje, pasi ishte me ethe: direkt nga makina në pishinë.

Top Channel