Besart Berisha: Jam më teknik se Van Basten

10/03/2009 09:30

Në këtë periudhë duket se gjithçka po shkon në rrugën e duhur për Besart Berishën.

Që prej largimit nga anglezët e Bërnlit, sulmuesi i lindur në Prishtinë ka fituar stabilitet në kombëtaren shqiptare, ndërkohë që ka debutuar me dy gola në kampionatin danez (SAS Ligaen). Ai duket mjaft i entuziazmuar për paraqitjen e tij me Horsens, ku i dhuroi skuadrës fitoren pas më shumë se gjashtë muajve “agjërim”.

Kundër Odenses, lojtari kuqezi shënoi në minutat 49-të dhe 88-të, duke e bërë të pavlefshëm barazimin e përkohshëm të miqve. Por, ajo që ka lënë mbresa në Danimarkë është rrjeta e parë, ku sipas mediave nordike veprimet e Berishës të kujtonin ato të legjendarit Marko van Basten. 23-vjeçari shënoi nga një pozicion pothuajse i pamundur, ndërsa pranon me dëshirë krahasimin me ish-lojtarin e Holandës dhe Milanit.

“Ishte një pozicion shumë i vështirë shënimi, por ia arrita dhe ndihem i lumtur. Van Basten ishte një sulmues i fuqishëm, ndërsa unë jam lloji i lojtarit teknik. Golat kanë ngjashmëri, por ndërkohë që ai përdori forcën në ekzekutim, unë përdora më shumë teknikë dhe përshëndeta rrjetën”, deklaroi Berisha.

Sulmuesi është i vetëdijshëm për momentin e mirë që po kalon. Ai ia dedikoi golat tifozëve, të cilët e mbështetën prej ditës së parë kur u rikthye te Horsens.

“Golat e mi janë për tifozët. Në karrierën time si futbollist, asnjëherë më parë nuk kisha zhvilluar një ndeshje kaq perfekte. Gjithçka që kërkoja të bëja realizohej me lehtësi. Me golat e mi ndihmova skuadrën të merrte tri pikët, është fantastike”, pohoi lojtari më i mirë i ndeshjes.

Me ndihmën e Berishës, Horsens u largua nga fundi i tabelës në këtë pjesë të dytë të sezonit. Afrimi i shqiptarit në formë huazimi u eklipsua nga suedezi Andreas Augustson, por fusha tregoi se shqiptari është i domosdoshëm për ekipin. Tashmë, të besuarit e trajnerit Henrik Jensen janë të 11-ët në klasifikim dhe mbijetesa në elitën e futbollit danez nuk duket e pamundur.

Më tej, Berisha ka folur edhe për skuadrën, duke vlerësuar potencialin e kontingjentit të Horsens. “Kundër Odenses u futëm në lojë me mentalitetin e duhur dhe paraqitëm një ndeshje cilësore. Që prej ditës së parë që shkela në klub kam mbetur i mahnitur nga skuadra, këtu luajnë shumë lojtarë të mirë dhe vendet e fundit në tabelë nuk janë të përshtatshme për Horsens. Mendoj se me potencialin që kemi mund të mposhtim cilindo kundërshtar”.

Në përfundim të ndeshjes, sulmuesi ka kënduar së bashku me skuadrën këngën karakteristike të fitores, edhe pse një pjesë të mirë të fjalëve nuk i dinte: “Nuk mund të them se i mësova fjalët. Ndoshta do t’ia kërkoj të shkruar shokëve të skuadrës, në mënyrë që ta këndoj në takimet e ardhshme”.
 

Top Channel