Ari Han, të mërkurën për Elbasani-Tirana

10/03/2009 10:15

Pasi ka ndjekur nga afër futbollistët shqiptarë që militojnë në kampionatin ukrainas, trajneri i kombëtares, Ari Han, do të kthehet në vendin tonë.

Drejtuesi i stolit kuqezi do të vëzhgojë gjatë mesjavës duelin Elbasani-Tirana, që do të luhet në stadiumin “Ruzhdi Bizhuta”, i vlefshëm për çerekfinalet e Kupës së Shqipërisë.

Takimi pritet të jetë mjaft i ashper, edhe sepse 90 minutat e para në kryeqytet u mbyllën në barazim 0-0 dhe të dyja skuadrat pretendojnë ta fitojnë trofeun e dytë për nga rëndësia.

Han është “abonuar” te Tirana, duke qenë se bardheblutë janë skuadra që ka në kontingjent një numër të madh futbollistësh që luajnë në kombëtare, ose janë kandidatë për një fanellë. Në ndeshjen e së mërkurës, përveç Ansi Agollit, Andi Lilës dhe Endri Vrapit në “lupën” e holandezit do të jenë edhe golashënuesi më i mirë i kampionatit, Migen Memelli dhe mbrojtësi veteran i verdhebluve, Nevil Dede.

Dy javë më parë, në prag të ndeshjes së 28 marsit me Hungarinë, lojtarët që militojnë në Kategorinë Superiore ishin vëzhguar nga ndihmësi i Han, Vim Surbier.

Top Channel