Salihi: Golat e mi, në momentin e duhur

09/03/2009 10:35

“Kam punuar shumë për të shënuar këta dy gola”, tha Hamdi Salihi, sulmuesi shqiptar i SV Riedit në kampionatin austriak të futbolli, i cili këtë të shtunën ishte njeriu-fitore i ekipit të tij në ndeshjen kundër skuadrës Austria Karnten.

Takimi u mbyll me rezultatin 2-0 dhe të dy golat e vetëm të kësaj ndeshjeje mbajnë firmën e ish-bomberit të Vllaznisë dhe Tiranës. Menjëherë pas përfundimit të takimit, sulmuesi 25-vjeçar i Kombëtares shqiptare ka qenë edhe një ndër më të kërkuarit e shtypit austriak. Ai ka pranuar të shprehë emocionet e tij për këtë fitore të rëndësishme të Riedit.

“Me apo pa dëborë, tre pikët janë shumë të rëndësishme për ne. Prandaj edhe unë jam shumë i kënaqur për fitoren. Për të ardhur deri te këta dy gola, mua më është dashur të punoj shumë. Jam i lumtur që golat erdhën pikërisht tani, kur kishte nevojë edhe skuadra”, ka përfunduar Salihi, kontrata e të cilit skadon më 30 qershor të 2009-ës. 

Top Channel