Rikthehet Berisha, dopjetë për Horsens

09/03/2009 10:00

Pas një mungese të gjatë, Besart Berisha më në fund e gjen rrugën më të mirë për të firmosur rikthimin si golashënues në kampionatin danez.

Këtë e ka bërë dje në fitoren 2-1 në shtëpi që Horsens luajti ndaj OB Odensës. Kosovari i kuqezinjve, me dopjetën e tij ka qenë edhe protagonisti kryesor i kësaj fitoreje shumë të rëndësishme për skuadrën, e cila vazhdon të notojë në ujërat e turbullta të rënies nga kategoria.

Pas huazimit te Rozenborgu, anglezët e Bërnlit, që zotërojnë kartonin e Berishës, vendosën ta huazojnë kosovarin në Danimarkë, te Horsens, me të cilën kishte luajtur edhe në të shkuarën. Një start i mirë te Rozenborg, ku debutoi me dy gola dhe një karton të verdhë.

Më pas u “abonua” me pankinën, derisa në merkaton e janarit përfundoi sërish në huazim nga Bërnli tek AC Horsens në Danimarkë, skuadër me të cilën ka luajtur edhe tri vite më parë. Berisha e ka nisur në mënyrën më të mirë aventurën e re daneze, pasi ka shënuar dy gola që në ndeshjen e parë zyrtare me Horsens. Skuadra e sulmuesit të Kombëtares shqiptare ndodhet në fund të tabelës në kuotën e 11 pikëve dhe dje kishte një ndeshje të vështirë, pasi prisnin skuadrën e vendit të tretë, Odense.

Besart Berisha është cilësuar si njeriu i ndeshjes, pasi me dy golat e tij i dha një fitore të shumëpritur skuadrës së Horenses. Në minutën e 49-të Berisha shënon golin e parë për vendasit, por në minutën e 72-të miqtë barazojnë. Megjithatë, dy minuta para përfundimit të takimit, Besart Berisha shënon golin e dytë dhe të fitores 2-1 për Horenses. Sapo ka shënuar golin e dytë për të tijtë, trajneri e ka zëvendësuar kosovarin kuqezi, pikërisht në minutën e 88-të, duke aktivizuar në vend të tij Zhimi Majasin.

Kjo është bërë për të fituar disa sekonda kohë dhe për t’i dhënë mundësinë Berishës të përshëndetet me tifozët e shumtë të Horensesit, që thërrisnin në kor emrin e tij. Horensens ngjitet tashmë në kuotën e 14 pikëve dhe natyrshëm kjo dopjetë e kosovarit është edhe një lajm i mirë për trajnerin e Kombëtares Ari Han. Sikurse shihet edhe në skedën e Horsensit, në ndeshjen e së dielës me Odensën, Besart Berisha është aktivizuar si sulmues i deklaruar, madje i vetmi për të tijtë. Një zgjedhje taktike kjo e trajnerit Henrik Jensen, çka duhet të shërbejë edhe për Ari Hanin, që në ato pak minuta që e ka aktivizuar Berishën me ekipin kombëtar, ka treguar se nuk ka një ide të qartë se ku mund dhe duhet ta pozicionojë kosovarin kuqezi, që t’i marrë më të mirën lojës së tij.

Sulmuesi 23-vjeçar nga Kosova, i cili deri tani ka shënuar 2 gola në 12 ndeshje me Kombëtaren kuqezi, ka një vlerë tregu prej 800 mijë eurosh sipas faqes “Transfermarkt.de” dhe në fund të sezonit do të rikthehet sërish në Angli te Bërnli. 

Top Channel