Faza III, nis sot “lufta” e objektivave në Superligë

07/03/2009 10:05

Pas një jave të mbushur me polemika të zhurmshme mbi përcaktimin e vendit të parë në tabelë, ashtu edhe në lidhje me dhunën që mbylli Fazën II, sot fjalët do t’ia lënë vendin fushës së lojës, e cila do të luajë aktin e parë të Fazës III.

Kjo fazë e fundit pritet të dhurojë futboll të bukur dhe plot emocione, për vetë faktin se thuajse të gjitha skuadrat janë përfshirë nga ethet e objektivave.

Disa synojnë titullin, disa të tjera një vend sa më të lartë për të luajtur në Kupat e Evropës, ndërsa gjysma e skuadrave shpreson shmangien e rënies nga kategoria, ose rrezikun e ndeshjeve “play-off”.

Ndërsa Vllaznia duket se do të shpresojë deri në orën 15.00 në një vendim pro të UEFA-s për ankesën e tyre për vendin e parë, Kategoria Superiore do të luajë javën e parë të Fazës III, e 23-ta sezonale, ku 6 skuadrat e para të renditjes do të presin gjashtë skuadrat e fundit të tabelës.

Tirana e vendit të parë (e renditur në këtë pozicion mes polemikave të shkodranëve vetëm një ditë pas përfundimit të Fazës II) do të presë Lushnjën e vendit të fundit, i njëjti kundërshtar, që u përball me bardheblutë në javën e fundit të Fazës II.

Vllaznia do të luajë në “Loro Boriçi” me Bylisin, ndërsa Dinamo do të presë Apoloninë. Rivalitet më i madh në tri ndeshjet e tjera, ku përballen skuadrat e mesit të tabelës. Shkumbini sërish do të presë Flamurtarin, ndërsa Teuta dhe Besa presin përkatësisht Partizanin dhe Elbasanin.

Top Channel