Cana: Ndihem çdo ditë më mirë fizikisht

07/03/2009 10:45

Edhe pse me ritme të ngadalta, Lorik Cana është rikthyer nga dëmtimi në gjurin e djathtë, që pësoi në dhjetor të vitit të kaluar.

Mesfushori i kombëtares shqiptare është rikuperuar plotësisht dhe tani është gati të ndihmojë ekipin e tij, Olimpik Marsejën në fazën vendimtare të sezonit.

“Pas një mungese të gjatë nuk ishte e lehtë të kthehem në një ndeshje të rëndësishme evropiane (kundër Tuentes në Kupën UEFA), por ai ishte testi më i mirë për të parë se në çfarë gjendje fizike isha. Arritëm të përmbysnim humbjen 1-0 të ndeshjes së parë, e tashmë duhet të tregohemi të kujdesshëm me ambiciet tona evropiane. Personalisht, ndihem çdo ditë e më mirë. Edhe gjuri është në gjendje më të mirë. Ishte shumë e rëndësishme të kthehesha për fazën finale të sezonit”, tha 25-vjeçari.

Ai pritet të jetë plotësisht i gatshëm edhe për impenjimin e 28 marsit, ku kuqezinjtë e drejtuar nga Ari Han do të përballen me Hungarinë në “Qemal Stafa”, në një sfidë mjaft delikate. Të shtunën, marsejezët do të ndeshen me Valensien dhe Cana, i cili mund të aktivizohet si titullar, ka paralajmëruar të tijtë të mos e nënvlerësojnë kundërshtarin, që lufton për mbijetesë në Ligën 1.

Top Channel