Ari Han vëzhgime në Ukrainë

07/03/2009 10:15

Ashtu si ishte paralajmëruar, trajneri i kombëtares shqiptare, Ari Han, do të nisë turin e vëzhgimeve të futbollistëve që luajnë në Ukrainë.

Sot ai ka rezervuar një vend në stadiumin e Krivbasit, skuadrës së Ervin Bulkut, Isli Hidit dhe Dorian Bylykbashit, që do të presë Çernomorets Odesan. I vëzhguari special i teknikut holandez do të jetë pikërisht Bylykbashi.

Fantazisti elbasanas, edhe pse po shkëlqen në Vyscha Liga, ku është kapiteni i skuadrës dhe ka tërhequr vëmendjen e klubeve më të mëdha në Evropën Lindore, vazhdon të qëndrojë jashtë përfaqësueses. Vetëm 24 orë më vonë, Han do të udhëtojë drejt kryeqytetit ukrainas, Kievit, për të ndjekur treshen shqiptare Curri, Dallku e Ahmet Jonuzi dhe Vorskla Poltavën në aksion kundër Dinamos vendase.

Por, megjithëse ka udhëtuar shumë kilometra, drejtuesi i stolit kuqezi do të anashkalojë Parid Xhihanin. Sulmuesi vazhdon të konfirmohet si një lojtar deciziv te Zoria, por duket se as tetë golat e shënuar prej tij në kampionat nuk kanë shërbyer për ta bindur Hanin. Vëzhgimet përpara sfidës së 28 marsit me Hungarinë do të vazhdojnë, ku në qendër të vëmendjes do të jenë lojtarët e kampionatit shqiptar dhe disa prej atyre që luajnë në ligat kontinentale.

Top Channel