Igli Tare, përkrah Lipit në Formelo

06/03/2009 09:45

Igli Tare, përkrah presidentit Klaudio Lotito, ka shoqëruar Marçelo Lipin në vizitën e papritur, që ky i fundit zhvilloi në qendrën stërvitore të Lacios, Formelo.

Trajneri i përfaqësueses italiane u paraqit në kampin bardhekaltër pa lajmëruar askënd, për të ndjekur nga afër miqësoren e mesjavës të skuadrës së drejtuar nga Delio Rosi.

Lipi është pritur me duartrokitje nga tifozët lacialë, ndërkohë që është përshëndetur edhe me të gjithë lojtarët. Takimi i Tares me trajnerin më të mirë italian ka shërbyer për t’i dhënë atij udhëzime rreth kandidatëve për përfaqësuesen “axurre” në impenjimet e ardhshme. Kjo konfirmon edhe statusin që gëzon ish-kapiteni i Kombëtares te Lacio, ku gjatë verës pritet të emërohet drejtor sportiv i klubit roman.

Aktualisht 35-vjeçari po ndjek kursin në Koverçano, për të plotësuar kriteret e këtij posti të rëndësishëm. Dje, Lipi është takuar edhe me drejtorin sportiv të Romës, Bruno Konti, dhe trajnerin Spaleti për gjendjen e Perrotës.

Top Channel