Herta i trembet klasit të Skelës

06/03/2009 09:35

Ervin Skela e shokët e tij tek Energi Kotbuz trembin kryesuesin aktual të Bundesligës, Hertën e Berlinit. Të dyja skuadrat do të përballen këtë fundjavë në Kotbuz.

Bilanci i Hertës me këtë ekip është i keq. Pas një ecurie të mirë në këtë sezon, skuadra berlineze synon fitimin e titullit kampion të Gjermanisë. Në takimin e së shtunës, Herta do të synojë të ruajë vendin e parë të tabelën e klasifikimit. Ata e dinë që nuk do të jetë një përballje e lehtë.

Ai që e bën të ditur këtë fakt është trajneri i berlinezëve, Lucien Favre. “Ata kanë shumë kualitet, të cilin e kanë nxjerrë në pah në këto ndeshje të para të fazës së dytë. Jo të gjitha skuadrat kanë lojtarë të tillë si Skela, Rangelov, Jula apo Rost. Gati të gjithë janë lojtarë të kombëtareve të vendit të tyre”, paralajmëron trajneri zviceran i Hertës së Berlinit.

Energi i ka fituar dy ndeshjet e para të fazës së dytë dhe një gjë e tillë e ka ndihmuar Skelën me shokë që të mbledhin pikë shumë të rëndësishme në luftën për t’i shpëtuar rënies nga Bundesliga.

Top Channel