Duka: Kundër Hungarisë, shpresoj fitore

06/03/2009 09:15

Kur mungojnë afro tri javë nga sfida me Hungarinë, objektivi i Kombëtares shqiptare mbetet i qartë: vetëm fitore. Një rezultat të tillë, në takimin që do të zhvillohet më 28 mars në “Qemal Stafa”, e shpreson edhe kreu i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka.

 “Çfarë kërkoj nga skuadra për këtë sfidë? Natyrisht që me hungarezët shpresoj vetëm të fitojmë”, tha ai. Tri pikët në Tiranë do të ishin hakmarrje për humbjen e vetme që kuqezinjtë kanë pësuar në këto eliminatore. Por, ato do të merrnin edhe më shumë vlerë, në luftën për vendin e katërt, në renditjen finale të Grupit 1 eliminator të Botërorit 2010.


Trajneri

Rezultati i këtij takimi mund të vendosë edhe të ardhmen e trajnerit Ari Han. Holandezi nuk ka asnjë pikë në kontratë, në të cilën përcaktohet se në rast rezultatesh negative do të largohet nga drejtimi i përfaqësueses. Por, humbja mund të rezultonte “fatale”: nuk përjashtohet që FSHF-ja t’i kërkojë të largohet, edhe pse kjo do të thoshte humbje të konsiderueshme financiare. Për prishjen e njëanshme të kontratës, Han do të përfitonte të gjithë shifrën financiare të parashikuar për qëndrimin në Shqipëri.

Presidenti Duka nuk preferon ta komentojë këtë situatë, edhe sepse në këtë mënyrë do të shtohej presioni përpara një ndeshjeje delikate. Gjithsesi, me fjalët “kundër Hungarisë shpresoj vetëm fitoren. Kaq mund të them”, ai lë vend për spekulime.

Malta

Me Hungarinë e drejtuar nga Ervin Kuman, gjithçka duhet përgatitur me detaje. Sipas drejtuesit të futbollit shqiptar, vëmendje duhet t’i kushtohet edhe anës psikologjike të futbollistëve, një prej arsyeve që shkaktuan hapin fals në Maltë.

“Është e nevojshme që ta përgatisim mirë ndeshjen me Hungarinë, nëse kërkojmë të fitojmë, vazhdoi Duka. Nuk duhen përsëritur gabimet si në sfidën me Maltën, ku skuadra ishte euforike dhe me një ngarkesë të tepruar emocionale dhe psikologjike. Natyrisht që kjo ndikoi negativisht në fushën e lojës dhe në rezultat”.

Bogdani

Në federatë vazhdojnë të këmbëngulin se trajneri ende nuk ka përgatitur listën e madhe me lojtarët që duhet të jenë të gatshëm t’i përgjigjen ftesës së ekipit kombëtar. Megjithatë, sipas burimeve pranë kuqezinjve, duket se në takimin me Hungarinë do të vazhdojnë “përjashtimet”.

Pas Edmond Kapllanit dhe Jahmir Hykës, të njëjtin fat mund të ketë edhe Erjon Bogdani. Sulmuesi 31-vjeçar vazhdon të mos aktivizohet te Kievo (ose luan shumë pak), ndërkohë që me Maltën shpërdoroi një gol të sigurt. Forma e tij e dobët nuk është parë me sy të mirë nga Han, që tashmë mund t’ia besojë aksionin ofensiv Salihit, i cili do të mbështetet nga Skela, Duro dhe Gilman Lika.

Dhuna

Për përjashtimet e Tërbunit dhe Butrintit, pas dhunës së fundjavës që kaloi, Duka u shpreh: “Është e dhimbshme të lësh pa futboll një komunitet të tërë, por FSHF ishte e detyruar të merrte masa të tilla”

Top Channel