Cana, titullar kundër Valencien

06/03/2009 09:50

Lorik Cana pritet të aktivizohet në formacionin titullar në sfidën e së shtunës, ku Olimpik Marseja do të luajë kundër Valencien.

Mesfushori shqiptar duket plotësisht i rikuperuar nga problemi në gjurin e djathtë, ndërkaq që dje, trajneri Erik Gerets e ka lejuar të pushojë, për të rikuperuar energjitë.

Për zëvendëskapitenin e Kombëtares, kjo do të jetë hera e parë pas afro tre muajsh që do të luajë nga minuta e parë në Ligën 1 franceze, pas dëmtimit të pësuar në dhjetor 2008.

Cana u aktivizua si titullar gjatë mesjavës së kaluar, në kualifikimin e marsejezëve në fushën e Tuentes, në Kupën UEFA, por në kohën shtesë të ndeshjes, ai u largua nga fusha duke çaluar. Fatmirësisht ai aktivizim nuk shkaktoi asgjë serioze dhe në takimin e javës së kaluar, të fituar 1-0 në fushën e Kanës, lojtari u aktivizua disa minuta.

25-vjeçari pritet të jetë në dispozicion të Kombëtares shqiptare, për përballjen e 28 marsit kundër Hungarisë. Në “Qemal Stafa” mund të rikthehet edhe kapiteni Altin Lala, i cili po stërvitet rregullisht te gjermanët e Hanover.

Top Channel