Tërbuni e Butrinti: Do të apelojmë në UEFA

05/03/2009 09:30

Dhuna në futboll merr goditjen më të ashpër në këto vitet e fundit. Madje, insistimi për të bërë shembull shkaktarët e saj ka detyruar Komisionin e Disiplinës të nxitojë.

Ndërsa ishte paralajmëruar se mbledhja e këtij komisioni do të mbahej të mërkurën, surpriza ka ndodhur në orët e vona të mbrëmjes së martës.

I mbledhur për të shqyrtuar parregullsitë e javës së fundit futbollistike shqiptare, por në veçanti incidentet e dhunshme në ndeshjet Tërbuni-Kastrioti (Kategoria I) dhe Butrinti-Memaliaj (Kategoria II), ku gjyqtarët u bënë viktima të dhunës barbare, Disiplina ka vendosur që të përjashtohen pukjanët dhe sarandjotët nga çdo aktivitet futbollistik dhe pezullimin e tyre për dy sezonet e ardhshme. Po ashtu, të dyja klubeve u është akorduar edhe nga një gjobë.

Me të mësuar këtë, drejtuesit e lartë të dy klubeve janë shprehur të befasuar, jo vetëm se prisnin që mbledhja të zhvillohej të mërkurën, por edhe për vendimet, të cilat i konsiderojnë absurde dhe të ekzagjeruara. Madje ata nuk ngurrojnë të hedhin edhe akuza ndaj drejtuesve të FSHF-së, të cilët, sipas tyre, nuk i kanë krijuar kushtet për një gjykim të paanshëm.

Presidenti i Tërbunit, njëkohësisht edhe kryebashkiak i Pukës, Rrustem Struga, thekson se bëhet fjalë për një “vendim të ashpër, i padrejtë, tejet ekstrem dhe që nuk ka marrë parasysh asnjë fakt. I marrë si në kohën e njësiteve guerile, ky vendim i FSHF-së ka ofenduar dhe ka helmuar të gjithë qytetarët e Pukës”. Vendimi ka qenë i papritur edhe për sarandjotët. “Është e çuditshme, ne jemi njohur nëpërmjet medias për vendimin”, tha drejtori i Butrintit, Kosta Zaro.

Ai akuzon FSHF-në për përjashtimin 2-vjeçar. Por po dje ka reaguar edhe Federata Shqiptare e Futbollit, e cila, nëpërmjet sekretarit të saj të përgjithshëm, Arben Bici, ka saktësuar se, vendimet janë marrë konform rregulloreve të futbollit dhe këtu nuk duhet të ketë aspak vend për dyshime. Ndërsa i ka konsideruar të dyja ngjarjet shumë të shëmtuara dhe që nuk mund të bashkëjetojnë me futbollin, ai ka paralajmëruar se këtë fund do të kenë të gjithë ata që do të provojnë të përsërisin skena të tilla në të ardhmen. “Këto vendime janë marrë në bazë të rregulloreve të Federatës, të cilat janë të pasqaruara në nenet përkatëse dhe këtu nuk ka asgjë personale. Këto masa të ashpra merren, kur skuadrat dhe klubet zgjedhin të bëjnë vetëgjyqësi”. Gjithsesi, menjëherë pas njohjes me vendimin si kryebashkiaku i Pukës, Rrustem Struga dhe ai i Sarandës, Edmond Gjoka, ka mbledhur këshillin bashkiak të qytetit përkatës, ku është vendosur se cila do të jetë rruga që do të ndjekin për të kundërshtuar këtë vendim.

Të dyja palët kanë vendosur të apelojnë si fillim në Komisionet e Apelit në FSHF, por nëse nuk do të gjejnë zgjidhje, ata janë të vendosur ta çojnë këtë çështje deri në Gjykatën Sportive, në Lozanë të Zvicrës.

Top Channel