Pas “furtunës”, mbizotërojnë duartrokitjet

05/03/2009 09:45

Pas “furtunës”, e cila shkaktoi përjashtimet e Tërbunit dhe Butrintit, kategoritë inferiore janë shndërruar në aktivitete shembull.

 Dora e hekurt e përdorur nga FSHF-ja ka bërë që në harkun e 24 orëve situata të ndryshojë dhe futbolli të shihet si një spektakël për t’u shijuar dhe jo më si arenë dhune. Ndoshta për të ndryshuar një mentalitet “barbar” duhet shumë kohë, por në takimet e djeshme të Kategorisë së Parë është hedhur një hap shumë i rëndësishëm.

Mbyllja e takimeve të javës së 20-të është shoqëruar në shumë fusha me duartrokitjet e tifozëve vendas për skuadrat kundërshtare. Një ngjarje e rrallë për këtë kategori, ku ekipet udhëtuese trajtohen si “armiq”. Të mërkurën, të gjithë kanë pranuar rezultatet, kanë harruar polemikat dhe të paktën për 90 minuta i janë përkushtuar lojës së luajtur.

Ngjarja që bie më shumë në sy është ajo që shoqëroi takimin Kastrioti-Dajti, e mbyllur me fitoren 1-0 të vendasve. Pasi kanë parë tmerr me sy në fushën e Pukës, krutanët kanë treguar përgjatë gjithë kohës një “fair-play” shembullor. Ndërkohë, në momentin kur futbollistët dhe stafi teknik i Dajtit ka dalë nga fusha, ata janë duartrokitur nga të gjithë të pranishmit në stadium. Në fund të ndeshjes, lojtarët kanë ndërruar edhe fanellat me kundërshtarët.

Për sa u takon rezultateve, bie në sy humbja 4-1 e Skënderbeut në Laç. Korçarët vazhdojnë të qëndrojnë në krye të tabelës, por tashmë vetëm me 1 pikë më shumë se laçianët. Kjo ishte humbja e parë e trajnerit Indrit Fortuzi në stolin e skuadrës juglindore.

Top Channel