Duka: Ari Han, punë e shkëlqyer

05/03/2009 10:15

Armand Duka, presidenti i FSHF-së, e ka cilësuar “të shkëlqyer” punën e trajnerit Ari Han në krye të kombëtares shqiptare gjatë eliminatoreve të Botërorit 2010.

Në pesë takime të Grupit 1, kuqezinjtë kanë grumbulluar 6 pikë, ku ndeshjet më të suksesshme janë barazimet me Suedinë dhe Portugalinë. Ndërkohë, në fund të këtij muaji (28 mars), në “Qemal Stafa” vjen Hungaria, duel për të cilin Duka është mjaft optimist.

“Kam mendim mjaft të mirë për Ari Han dhe punën e tij. Ai di ta motivojë skuadrën dhe më pëlqen mënyra se si i përgatit ndeshjet”, tha kreu i FSHF-së. “Është një profesionist i vërtetë, më pëlqen disiplina që u imponon lojtarëve. Mendoj se deri më tani ka bërë një punë të shkëlqyer me skuadrën tonë kombëtare”.

Vlerësimet e drejtuesit të numrit 1 të futbollit janë dhënë për faqen zyrtare të UEFA-s, pavarësisht barazimit turpërues 0-0 në fushën e Maltës: “Për mënyrën se si shkoi ndeshja, mund të them se jemi të kënaqur me barazimin. Malta luajti mirë dhe u shfaq rrezikshëm në pjesën e dytë”.

Top Channel