Vllaznia, në Lozanë për kreun e Fazës III

03/03/2009 10:30

Interpretimi i ndryshëm i së njëjtës rregullore, çon Vllazninë në Gjykatën Sportive të Lozanës. Barazimi me pikë mes dy skuadrave kryesuese të Kategorisë Superiore në javën e fundit të Fazës II, ka krijuar një situatë të paqartë, të paktën për kampin shkodran.

Drejtuesit e Vllaznisë pretendojnë se vendi parë u përket atyre. Këtë insistim të tyre e mbështesin në faktin se, sipas rregullores së kampionatit kombëtar të futbollit, për të përcaktuar se cila skuadër është mbi tjetrën në rast pikësh të barabarta, shikohen ndeshjet direkte.

Por paqartësia fillon në rastin e dy barazimeve në Vllaznia-Tirana: 0-0 në Shkodër dhe 1-1 në Tiranë.

Shkodranët pretendojnë se, në këtë rast, golat në fushën kundërshtare kanë vlerë të dyfishtë. Ndërsa Federata Shqiptare e Futbollit, që është dhe rregullatori i kampionatit, thekson të kundërtën.

FSHF citon nenin 26 të kapitullit të katërt të Rregullores e Veprimtarisë Futbollistike Kombëtare, sipas të cilit, Tirana renditet e para, ndonëse në ndeshjet direkte me Vllazninë kanë barazuar (0-0) në Shkodër dhe (1-1) në kryeqytet.

Kjo, pasi në rast se kur dy ose më shumë skuadra janë me pikë të barabarta, gjithashtu në ndeshjet direkte kanë marrë pikë të barabarta dhe diferenca e golave të shënuar dhe të pësuar në ndeshjet direkte është e barabartë, atëherë merret parasysh
diferenca e golave të shënuar dhe të pësuar në kampionat.

FSHF e ka konfi rmuar edhe dje: “Vendi i parë i takon Tiranës”. Por klubi shkodran është shqetësuar për këtë fakt. Zëdhënësi i klubit, Kola, u shpreh dje se “drejtuesit u morën gjithë ditën me debatin mbi vendin e parë dhe FSHF vendosi po dje që ky vend i takon Tiranës, ndërsa një ditë më parë thanë të kundërtën”.

“Vllaznia është e vendosur që të shkojë deri në Gjykatën Sportive Ndërkombëtare të Lozanës në Zvicër për këtë çështje”, vazhdoi ai. Situatën e ka komplikuar edhe më shumë fakti se, kryesuesja e tabelës favorizohet edhe nga kalendari.

 Java e fundit e këtij sezoni propozon një nga sfidat më interesante, e cila mund të rezultojë edhe si një finale për titullin kampion (për ironi të atit) mes Tiranës e Vllaznisë. Nëse Vllaznia do të renditej e para, atëherë kjo ndeshje do të luhej në Shkodër. Në rastin e kundërt, me Tiranën kryesuese, takimi do të luhet në Tiranë. Po ashtu bardheblutë kryesues do të jenë më të favorizuar edhe për faktin se kalendari i Fazës II, i miratuar tashmë nga FSHF, i mundëson atyre të luajnë tetë ndeshje në fushën e tyre, një më shumë se rivalët. Ky shqetësim ka bërë që në Shkodër të harrohet thuajse fare gjetja e trajnerit të ri, pas largimit të Canajt.

Top Channel