Paulo Freitas, një portier portugez për Dinamon

03/03/2009 10:55

Edhe pse me emërimin e Shkëlqim Muçës në krye të stolit skuadra është kthyer në garën për titull, Dinamo po mendon për merkaton e verës.

Drejtuesit e klubit vazhdojnë të studiojnë kampionatet e huaja dhe lojtari i radhës është “peshkuar” në Portugali. Bëhet fjalë për portierin Paulo Freitas (emri i plotë Paulo Rikardo Rodrigues Freitas), që në muajin qershor pritet të bashkohet me blutë.

Aktualisht, 22-vjeçari luan me AD Fafe, skuadër e cila militon në Serinë A të Kategorisë së Dytë Portugeze (Kategoria e III luzitane). Në këtë klub, i famshmi Rui Kosta e ka filluar karrierën si futbollist profesionist, pas huazimit nga Benfika në moshën 18-vjeçare. Ajo që e shtyu “gardianin” të pranojë ofertën e bluve është fakti se Dinamo luan në kampionatin elitar në Shqipëri.

Edhe pse vjen nga një kampionat anonim, Freitas do të përfi tojë katër herë më shumë se rroga aktuale.

Lojtari pritej të transferohej te Dinamo në janar, por sapo lajmi u publikua nga mediat vendase, drejtuesit e Fafe-s nuk e lejuan të prishte kontratën.

Fillimisht ata ishin dakord me largimin, por më pas pretenduan 50 mijë euro për kartonin e tij. Kjo bëri që ardhja në Kategorinë
Superiore të shtyhej në fund të sezonit. Ai do të jetë portugezi i parë që luan në kampionatin shqiptar. Portieri e argumenton me thjeshtësi
zgjedhjen që ka bërë: “Bëhet fjalë për të luajtur me një ekip të Ligës së Parë”.

Marrëveshja u realizua nëpërmjet menaxherit Rikardo Veloso. “Fillimisht u mendova. Më pas u futa në internet, pashë qytetin, kushtet e
klubit dhe të them të drejtën u entuziazmova”, deklaroi lojtari. “Më duhej një faks nga Fafe, që të më linte të lirë, por skuadra pretendoi një shifër të lartë parash. Do të shkoj në qershor te Dinamo, e nuk mund të fsheh se kam pak frikë për këtë aventurë të re”. Nëpërmjet dinamovitëve, Freitas shpreson që një ditë të luajë në Liga Sagres.

Top Channel