Besa, në turneun “Jetojmë me lavdinë tuaj”

03/03/2009 10:45

Besa ka konfirmuar prezencën në turneun tradicional që zhvillohet në Kosovë, “Jetojmë me lavdinë tuaj”.

Skuadra kavajase ka vendosur ta largojë për pak kohë vëmendjen nga Kategoria Superiore dhe Kupa e Shqipërisë, për të qenë pjesë e aktivitetit për nder të komandantit legjendar të UÇK-së, Adem Jashari, më 4 e 5 mars. Përveç verdhezinjtë, pjesëmarrëse do të jenë edhe Drenica, Bogovina e Maqedonisë dhe Albanian Stars, klubi nga Çikago, i përbërë nga lojtarë shqiptaro-amerikanë.

Ky klub, i krijuar përpara 38 viteve në SHBA, ka si rezultat historik fitoren 4-1 përballë Republika Serbska, rezultat i regjistruar më 17 shkurt 2008, pikërisht në ditën kur Kosova shpalli pavarësinë. Drejtuesit e Albanian Stars nuk janë menduar dy herë për të kaluar Atlantikun, me synimin të plotësojnë ëndrrën për të luajtur në shtetin e Kosovës.

Gjatë qëndrimit në Prishtinë, skuadra, ku përveç shqiptarëve nga të gjitha trevat militojnë edhe dy brazilianë dhe një amerikan, do të takohet me presidentin kosovar, Fatmir Sejdiu dhe Kryeministrin Hashim Thaçi.

Shorti për të përcaktuar ndeshjet do të tërhiqet të mërkurën, në orën 12:00. Një orë më pas do të luhet ndeshja e parë, ndërsa pas saj edhe takimi i dytë. Finalja e turneut do  të zhvillohet të enjten në orën 14:00, në stadiumin e Prishtinës.

Top Channel