Memaliaj: Dënim maksimal për Butrintin

02/03/2009 10:30

Pasi skuadra e tyre u dhunua në Sarandë, në takimin me Butrintin, të vlefshëm për Kategorinë e Dytë, drejtuesit e Memaliajt kërkojnë dënim maksimal për shkaktarët e ngjarjes.

Ata kanë përgatitur të gjitha materialet që do t’i dërgohen Komisionit të Disiplinës, për ndeshjen ku u dëmtua portieri i kësaj skuadre Merdani, ndërkohë që në gjendje më të rëndë përfundoi gjyqtari i takimit, Balliu. Krerët e kësaj skuadre pohuan se gjatë takimit u ishte mohuar edhe një penallti, por nuk kishin protestuar për të evituar tensionimin e situatës.

“Të luash futboll po bëhet gjithmonë e më e rrezikshme në kategoritë inferiore. Drejtues, trajnerë dhe sportistë po dhunohen sistematikisht dhe rrezikojnë jetën në fushat kundërshtare. Në Sarandë, dhuna filloi nga tifozët, për të vazhduar te drejtuesit dhe lojtarët e klubit të Butrintit. Kërkojmë dënim maksimal nga FSHF-ja për këta njerëz”, ishin fjalët e memaliotëve.

Situata degjeneroi pas anulimit të një goli nga vendasit, kur rezultati ishte 0-1. Gjatë festës së golit të dytë, portieri i Memaliajt, Merdani u godit me gurë nga tifozët, duke humbur ndjenjat në fushë.

Pas këtij episodi, arbitri Balliu tenton të ndërpresë lojën dhe prej aty ka shpërthyer dhuna: tifozë, drejtues dhe lojtarë sarandjotë kanë rrahur “xhaketat e zeza” dhe disa sportistë kundërshtarë. Situata është vënë nën kontroll nga policia, ndërsa skuadra e Butrintit u shoqërua në komisariat.

Top Channel