Futbollistët e Kastriotit: Policia, “sehir” gjatë dhunës

02/03/2009 10:45

Policia e Pukës është bërë palë (me ose pa dashje) me dhunuesit e gjyqtarit Mentor Sopiani, në episodet e shëmtuara që u regjistruan pas ndeshjes Tërbuni-Kastrioti, të vlefshme për Kategorinë e Parë.

 Sipas dëshmive të lojtarëve krutanë, forcat blu qëndronin të pafuqishme, në momentin kur tifozët vendas “pushtuan” fushën dhe më pas rrahën për vdekje gjyqtarin Mentor Sopiani. Prej dhunës masive, “bilbili” me profesion gardian burgu ka humbur ndjenjat dhe është dërguar me urgjencë në gjendje të rëndë në spitalin e qytetit.

Lojtarët krutanë treguan: “Ajo që ndodhi dhe përjetuam ishte e tmerrshme. Kemi luajtur edhe në kohë më të vështira, siç ishte viti ’97, por nuk ndodhte asgjë e tillë. Policia rrinte dhe shikonte incidentet, duke mos tentuar të merrte asnjë masë. Është e vërtetë që ishin të paktë në numër, por duhej të bënin diçka për të evituar dhunën e tifozëve”.

Ata konfirmuan se kanë shpëtuar falë ndihmës të lojtarëve të Tërbunit, të cilët i orientuan për të dalë nga fusha e lojës. “Shpëtuam pa plagë, sepse dhuna u përqendrua te gjyqtarët. Por, duhet të falënderojmë edhe shokët tanë që luajnë me Tërbunin, të cilët na ndihmuan të dilnim nga fusha”, vazhduan ata. Disa prej lojtarëve të Kastriotit nuk kanë ngurruar as të filmojnë me telefona celularë atë që ndodhte në fushën e lojës, që në harkun e pak sekondave u shndërrua në arenë dhune.

Për të qetësuar dhunën e tifozëve është dashur mbërritja e FNSH-së (Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë) nga Shkodra, ndërkohë që skuadra e Kastriotit ka qëndruar për afro 2 orë e mbyllur në stadium. Pas largimit të tifozëve, miqtë hipën në autobusin pa xhama dhe të shoqëruar nga një furgon policie u largua nga Puka. Kjo ngjarje (ashtu si edhe ajo e Sarandës, ku lojtarët dhe stafi i Butrintit dhunuan ata të Memaliajit) pritet të mos kalojnë pa masa të rënda ndëshkimore.

Sipas Kodit të Drejtësisë Sportive, “skuadrat, në fushën e të cilave janë regjistruar trazira, ku janë goditur, rrahur apo dhunuar fizikisht drejtues të FSHF-së, stafi i tyre, arbitrit apo lojtarët dënohen me përjashtim nga aktiviteti dhe zbriten një kategori më poshtë”. Të mërkurën pritet të mblidhet Komisioni i Disiplinës për të dhënë “verdiktin” final.

Top Channel