“Rally of Princess”, për festën e 8 Marsit në Tiranë

02/03/2009 10:55

Më 8 Mars, festën ndërkombëtare të gruas, në Tiranë do të zhvillohet “Rally of Princess”.

Kjo garë, e krijuar në vitin 1929 me “Paris Saint-Raphael Ladies Rally”, është shndërruar në traditë në shumë vende të botës dhe pritet të bëhet e tillë edhe në Shqipëri. Në këtë aktivitet do të marrin pjesë vetëm shofere femra dhe ky është eventi i parë i Motorsportit në Shqipëri i menduar dhe i krijuar posaçërisht për to.

Numri maksimal do të jetë 50 ekipe, me dy pjesëmarrëse: pra në total 100 femra garuese. “Pilotet” duhet të kenë patentë të vlefshme dhe dokumentet e makinës, ndërkohë që automjetet në konkurrim janë personale. Rally i Princeshave është një garë e tipit “regularity” (rregullsi), gara që nuk bazohen te shpejtësia, por te arritja sa më pranë e kohës së përcaktuar. Shpejtësia mesatare do jetë relativisht e ulët, 30 km/orë gjatë gjithë trajektores. Kjo garë karakterizohet nga niveli i lartë i sigurisë dhe do japë dhe shembullin e ecjes në rrugë, duke respektuar gjithë rregullat e qarkullimit rrugor. Aktiviteti do të shoqërohet me një koncert, ndërsa për fitueset do të ketë çmime.

Top Channel