Çani, mes Shqipërisë dhe Italisë

28/02/2009 10:00

Edgar Çani mund të luajë me Kombëtaren shqiptare, por që kjo të realizohet, sulmuesi kërkon një fanellën në Kombëtaren “A”.

19-vjeçari i talentuar, kartoni i të cilit zotërohet nga Palermo, është një prej sulmuesve të së ardhmes, por si Valon Behrami dhe Sotir Nini, ai rrezikon të luajë për vendin që e ka “adoptuar”, në këtë rast Italinë.

Interesimi nga FSHF-ja nuk ka munguar, madje afro një vit më parë sulmuesit i mbërriti një ftesë nga trajneri i Shpresave, Artan Bushati. Gjithsesi, lojtari, i cili cilësohet “Kristian Vieri i ri” nga specialistët e futbollit italian, nuk u paraqit me përfaqësuesen e 21-vjeçarëve.

Në këtë vendim ndikoi “joshja” nga përtej Adriatikut, sepse vetëm pak ditë më pas, Çani (i cili ka edhe nënshtetësi italiane) u grumbullua në Kombëtaren Under-19 “axurre”.

Dëshira e lojtarit që të përfaqësohet me Shqipërinë nuk mungon, edhe pse Italia do të ishte realizimi i një ëndrre (jo vetëm për të, por për çdo futbollist). Në anën tjetër është e konfirmuar se Çani nuk do të jetë i gatshëm për ekipin U-21, në Grupin 10 eliminator të Evropianit 2011. Tashmë topi ka kaluar në krahun e trajnerit Ari Han, që vetëm pas pak ditësh do të startojë një tur vëzhgimesh për futbollistët që militojnë në ligat evropiane. Etapa e parë është Ukraina, ku do të vlerësohet gjendja e Bylykbashit dhe Xhihanit, për të vijuar më tej në vendet e tjera.

Ende nuk mund të thuhet nëse drejtuesi i stolit kuqezi do të fillojë të vëzhgojë së afërmi edhe talentin e lindur në Tiranë. Por, e sigurt është se në të ardhmen ky lojtar do t’i shërbente shumë Kombëtares sonë. Në harkun e 3-4 vjetëve, Edgar Çani do të jetë shndërruar në një lojtar të pjekur në aspektin profesional, ndërkohë që në atë periudhë Shqipërisë do t’i nevojitet më shumë se kurrë “gjak i ri” në repartin ofensiv.

Në atë periudhë, Kapllani do të jetë 30 vjeç, Salihi dhe Besart Berisha 29, ndërkohë që e ardhmja e sulmit do të jenë Ahmet Jonuzi dhe pikërisht Edgar Çani. Një tjetër arsye përse për sulmuesin, që në janar të vitit 2008 u transferua në Sicili, duhet të bëhen të gjitha tentativat për ta veshur kuqezi, është se ai mund të bëhet zëvendësuesi i denjë i 32-vjeçarit Erjon Bogdani. Me shtatlartësinë e tij (196 cm), 19-vjeçari është mjaft i rrezikshëm në lojën ajrore, por kjo nuk e pengon as në aspektin teknik, ku cilësohet si një lojtar me të dhëna shumë të mira.

Momentalisht Çani vazhdon paraqitjet e mira me Askolin në Serinë B, ku është transferuar në formë huazimi nga Palermo. Ai ka luajtur nëntë ndeshje, katër si titullar, dhe ka shënuar një gol: në fitoren 2-1 të 20 dhjetorit, në fushën e Salernitanës. Ndërkohë, në takimin e javës së kaluar kundër Barit, në minutën e 59-të ai u bë protagonist, ku pasi dribloi gjysmën e mbrojtjes i dhuroi një gol të lehtë Xhorxhit.

19-vjeçari luajti 69 minuta, ndërsa Askoli nuk e shfrytëzoi avantazhin 2-0, duke lejuar që vendasit të barazonin. Më 27 prill 2008 Çani ka debutuar edhe në Serinë A italiane, si zëvendësues në takimin ku Palermo barazoi pa gola me Atalantën.
 

Top Channel