Venger kundër rregullit të golave jashtë fushe

25/02/2009 10:25

Arsen Venger njihet për idetë e tij revolucionare. Kësaj radhe, trajneri i Arsenalit ka folur për rregullin e golave jashtë fushe, duke kërkuar që ai të ndryshohet.

Momentalisht, në përballjet direkte me dy takime, në rast se rezultati i përgjithshëm i 180 minutave është barazim, kualifikohet skuadra që ka shënuar një ose më shumë gola në fushën kundërshtare.

Por, francezi e ka cilësuar këtë rregull si të vjetruar dhe që nuk i përshtatet futbollit modern. Venger deklaroi se ekziston edhe një variant alternativ që mund të përdoret nga UEFA: të ndiqet shembulli i përdorur në Kupën e Ligës në Angli, ku golat në fushën kundërshtare merren në konsideratë vetëm në përfundim të kohës shtesë.

Ai deklaroi: “Rregulli (aktual) është krijuar në vitin 1950, periudhë kur ndeshjet nuk ndiqeshin në televizor, skuadrat luanin me 10 futbollistë në mbrojtje dhe çdo top i shkelmuar përfundonte në tribuna. Por, kohët kanë ndryshuar dhe mendoj se në futbollin modern, goli në fushën kundërshtare ka marrë shumë peshë në aspektin taktik. Ka skuadra që barazojnë 0-0 në shtëpi dhe janë të lumtura.

Në futbollin modern, në vend që të kishte efekte pozitive, golit në fushën kundërshtare i kushtohet shumë rëndësi dhe ai shihet si vendimtar, shpjegoi Venger. I kemi propozuar disa alternativa UEFA-s për të bërë ndryshimet e nevojshme rreth këtij rregulli. Një zgjidhje e problemit mund të jetë sistemi që përdoret në ‘Carling Cup’, ku goli në fushën kundërshtare merr vlera vetëm në rastet kur takimi mbyllet në barazim edhe pas kohës shtesë. Skuadra që është pritëse mbetet e favorizuar në këtë mënyrë, pasi luan 30 minuta më tepër përpara tifozëve të saj”.

Drejtuesi i stolit të “topçinjve” shtoi se skuadrat duhet të shpërblehen kur luajnë futboll sulmues dhe sistemi i pikëve të jepet në rast rezultati pozitiv, por edhe duke u bazuar te golat e shënuar. Një sistem i tillë u përdor në turneun përgatitor, “Emirates Cup”, ku Arsenali mori pjesë në fillim të sezonit. Skuadrat merrnin tri pikë për fitoren, një për barazimin dhe nga një pikë ekstra për çdo gol të shënuar.

Top Channel