Sfida me Hungarinë, starton turi i vëzhgimeve

25/02/2009 09:55

Kur ka mbetur diçka më shumë se një muaj nga sfida me Hungarinë, stafi teknik i kombëtares shqiptare do të startojë vëzhgimin e lojtarëve kuqezi.

Puna nis që prej kësaj fundjave, kur krahu i djathtë i trajnerit Ari Han, Vim Surbier, do të udhëtojë drejt vendit tonë për të ndjekur një ndeshje të Kategorisë Superiore.

“Surbier mbërrin në Shqipëri për të ndjekur një ndeshje të javës së 22-të të kampionatit. Natyrisht që në qendër të vëmendjes janë Tirana dhe Vllaznia, dy skuadra që kanë më shumë lojtarë në përfaqësuese. Gjithsesi, ende nuk është vendosur se ku do të jetë i pranishëm zv/trajneri”, pohuan burime pranë FSHF-së.

Objektivi ishte që Surbier të ndiqte të paktën dy takime, por spostimi i të gjitha ndeshjeve në të njëjtën ditë (nga frika për kompromise të mundshme në javën që përcakton 11 ndeshjet e fazës së tretë), e ka bërë të pamundur. Gjithsesi, stafi teknik do të planifikojë të tjera “vizita” në Shqipëri, menjëherë sapo të mësohet kalendari për pjesën e fundit të sezonit. “Ndeshjet e fundjavës do të përcaktojnë sfidat e fazës së tretë në kampionat, nga ku do të dalin edhe duelet më interesante, shpjeguan burimet.

Në bazë të kalendarit do të vendoset edhe për sfidat që do të ndiqen nga trajneri Han, apo nga bashkëpunëtorët e tij. Synohen të merren të dhëna për formën e futbollistëve që aktualisht janë kontingjent i Kombëtares, por edhe për kandidatët e mundshëm. Gjithsesi, kjo nuk do të thotë se vëzhgimet në Superiore do të bëhen gjatë çdo fundjave”.

Në anën tjetër, vetë drejtuesi i stolit kuqezi do të jetë i impenjuar në një tur vëzhgimesh për lojtarët që luajnë jashtë vendit. Në fillim të marsit, Han do të ndjekë në aksion kuqezinjtë e shpërndarë nëpër kampionatet evropiane, ku etapa e parë pritet të jetë Ukraina. Përveç të afirmuarve Dallku, Curri, Hidi e Bulku, një prej arsyeve për udhëtimin e holandezit janë Dorian Bylykbashi, Ahmet Jonuzi dhe Parid Xhihani. Lojtarë, të cilët “tulipani” ka pranuar se nuk i njeh, por që në asnjë moment nuk ia ka mbyllur derën për një vend në skuadër.

Të gjitha këto vëzhgime pritet të shkaktojnë edhe disa ndryshime në kontingjentin kuqezi, për takimin e 28 marsit në stadiumin “Qemal Stafa”.

Ari Han kërkon me patjetër të evitojë grumbullimin e atyre futbollistëve që nuk luajnë rregullisht në skuadrat e tyre, ose që paraqesin formë të dobët fizike.

Pikërisht ky gabim, i kushtëzuar edhe nga mungesat e Altin Lalës dhe Lorik Canës, ishte shkaku kryesor për barazimin e papranueshëm 0-0 kundër Maltës. Fakti qëndron që trajneri ende nuk e ka përcaktuar listën e madhe me futbollistët, të cilët mendon t’i ketë në dispozicion për Hungarinë.

Një mënyrë për të fituar sa më shumë kohë për seleksionimin e skuadrës, në sfidën ku kërkohet vetëm fitorja. Çdo rezultat që nuk sjell tri pikët komprometon ecurinë e Shqipërisë në eliminatore dhe vë në dyshim të ardhmen e trajnerit.

Top Channel