Kupa, luhet sot akti i parë i çerekfinaleve

25/02/2009 10:15

Lihet pas shpatullave kampionati dhe e gjithë vëmendja përqendrohet te trofeu i dytë për nga rëndësia në futbollin shqiptar, Kupa e Shqipërisë, e cila sot do të luajë edhe ndeshjet e para të turit çerekfinal të saj.

Ky tur karakterizohet nga përballje shumë interesante, ku pritshmëria e luftës për të kaluar turin mendohet se do të dhurojë shumë emocione.

Një nga përballjet më interesante do të jetë ajo e Grupit A, Vllaznia-Dinamo. Shkodranët do të presin sot në shtëpinë e tyre një rival të ashpër, si Dinamo, e cila vetëm në fund të 2008-ës u rrëmbeu një fitore të vlefshme brenda në “Loro Boriçi”. Vllaznia merr pjesë për të 56 herën në këtë eveniment, të cilin ka mundur ta fitojë vetëm 6 herë.

Ndërsa Dinamo numëron 13 trofe në 51 pjesëmarrje. Bilanci i përballjes së tyre në Kupën e Shqipërisë u buzëqesh dinamovitëve, të cilët në 34 ndeshje kanë fituar 13 dhe kanë barazuar 10. Vetëm 11 fitore numëron Vllaznia. Megjithatë, statistikat sot do t‘ia lënë vendin fushës.

Të dyja ekipet kanë në përbërjet e tyre futbollistë potencialë dhe drejtohen nga trajnerë ambiciozë dhe me eksperiencë, si Agim Canaj e Shkëlqim Muça. Sfida tjetër e këtij grupi do të jetë Shkumbini-Besa, ku peqinasit do të provojnë shanset për të arritur Evropën edhe nëpërmjet Kupës së Shqipërisë.

Nuk është më e vogël edhe ambicia e Besës, e cila dëshiron të ndërtojë një traditë për pjesëmarrjen në kompeticionet ndërkombëtare.

Në 7 ndeshje të luajtura mes tyre, Shkumbini numëron 2 fitore, 2 barazime dhe 3 humbje. Në Grupin B spikat përballja e dytë brenda 5 ditësh mes Tiranës dhe Elbasanit. Të shtunën ndeshja e kampionatit u mbyll 0-0. Këto dy ekipe janë përballur 26 herë në edicionet e mëparshme të Kupës, ku Tirana numëron 16 fitore, 4 barazime dhe 6 humbje.

Por verdheblutë nuk vijnë në kryeqytet për formalitet, pasi ky trofe do të mund të shpëtonte një sezon të dështuar të tyre. Bardheblutë pritet ta mbështesin lojën e tyre të sulmit, ndërsa Elbasani, edhe pse pa Bejzaden, do të provojë të bëjë surprizën në Tiranë. Sfida e fundit është ajo mes Flamurtarit dhe Partizanit, dy ekipe që janë ndeshur 22 herë, nga të cilat 5 janë fitore të vlonjatëve, 8 janë mbyllur në barazim dhe 9 janë fituar nga të kuqtë. Kupa është edhe i vetmi kompeticion, i cili mund t’i japë mundësinë e daljes në Evropë një Partizani që rrezikon rënien nga kategoria.

Top Channel