Elvir Muriqi premton titullin kampion

25/02/2009 10:15

Federata Kosovare e Boksit ka organizuar pritje për boksierin e mirënjohur Elvir Muriqi.

 “Gjithmonë kam pasur bashkëpunim dhe raporte të mira me Fboxk dhe kështu do të jetë edhe në të ardhmen”, deklaroi “Kosovo Kid”.

Në mes të muajit shkurt, ai humbi duelin me anglezin Klinton Vuds, por disfata nuk e ka demoralizuar për vazhdimin e karrierës. 29-vjeçari është i bindur se brenda një kohe të shkurtër do të ketë shansin të fitojë brezin e kampionit në IBF.

“Humbja me Vuds më dëshpëroi, pasi ajo vlente si kualifikuese për titullin e kampionit të botës. Gjithsesi, i premtoj popullit tim se do ta mbaj premtimin dhe së shpejti do ta fitoj këtë brez”, u shpreh Muriqi.

Më 18 prill, ai do të zbresë në ringun e Prishtinës, ndërsa po atë ditë zhvillohet dueli ndërmjet përfaqësueses së Kosovës dhe asaj të Malit të Zi: “Duke qenë se ky aktivitet ka karakter humanitar, u shpreha i gatshëm të vij dhe të boksoj kundër Aleksandër Garaçenkos (boksier me të cilin ka pësuar humbje në të kaluarën)”.

Top Channel