Mukaj paralajmëron: Ende herët për festa

24/02/2009 08:50

Humbja e kreut ka lënë një shije të hidhur në radhët e bardhebluve, por gjithsesi një gjë e tillë nuk duhet dramatizuar.

Jo vetëm për faktin se distanca mes rivalëve, Tiranës e Vllaznisë kryesuese është e vogël (vetëm një pikë), por edhe sepse tani për tani asgjë nuk është vendosur dhe se kampionati është i gjatë.

I këtij mendimi është kapiteni bardheblu, Devis Mukaj, i cili dje ka lëshuar një paralajmërim në drejtim të shkodranëve. Sipas tij, askush nuk duhet të festojë se arriti apo humbi kreun. Për titull do të luftohet deri në fund, prandaj është shpejt për të nisur festa.

Por së pari, atij i duhet të sqarojë se përse Tirana e humbi kreun, pas atij barazimi të hidhur në shtëpi ndaj Elbasanit. “Të shtunën luajtëm një ndeshje të mirë me Elbasanin, dhamë maksimumin tonë për të gjetur golin, por nuk na eci”, nënvizon Mukaj, i cili siç duket, ia hedh pak faj edhe fatit të munguar të bardhebluve, të cilët edhe pse krijuan një volum të konsiderueshëm loje, nuk mundën të gjenin golin që do të zhbllokonte rezultatin.

Megjithatë, kapiteni nuk i lejon vetes të kapet nga paniku, se tashmë Vllaznia ua rrëmbeu sërish kreun. “Kampionati është i gjatë dhe do të përpiqemi ta marrim sërish vendin e parë në tabelën e renditjes. Ka dhe shumë javë për t’u luajtur, kështu që kemi kohë të realizojmë objektivat tona”, thekson 32-vjeçari, i cili prej vitesh mban mbi shpatulla titullin e liderit të 23 herë kampionëve. Ai propozon hedhjen prapa krahëve të barazimit të së shtunës dhe përqendrimin në ndeshjet e radhës, të cilat janë të gjitha për t’u vlerësuar.

Kjo javë do të jetë e ngarkuar jo vetëm për bardheblutë, por edhe për të gjitha skuadrat e mëdha. Kjo për faktin se ata do të jenë të impenjuara në çerekfinalet e Kupës në Shqipëri. Menjëherë pas ditës së pushimit, bardheblutë i janë rikthyer dje stërvitjes normale.

Grupi ka qenë i plotë në seancën e djeshme, me përjashtim të Abrahamit, i cili është parë të çalonte ende pas dëmtimit të pësuar në ndeshjen ndaj Elbasanit. Futbollisti afrikan ka zhvilluar një stërvitje të diferencuar dhe mund të mos jetë në ndeshjen e Kupës të mërkurën. E megjithatë, në radhët e bardhebluve vihet re optimizmi, se do ta fitojnë njërën nga ndeshjet në përballjen e dyfishtë me Elbasanin në kampionat dhe Kupë në hapësirën e pesë ditëve. Kjo nënkupton se besojnë te fitorja në sfidën e së mërkurës.

“Atë që nuk e bëmë në kampionat, shpresojmë ta bëjmë edhe në Kupë”, shprehet kapiteni Mukaj, i cili mbështetet edhe nga mesfushori Devolli në këtë bindje për çerekfinalen e nesërme. “Të gjithë jemi në një formë të mirë dhe kam shumë besim se do ta fitojmë këtë sfidë me Elbasanin”. Verdheblutë kanë demonstruar gjithmonë se janë një “kockë e fortë” për Tiranën, por të mërkurën, Mukaj me shokë u mbetet të vërtetojnë të kundërtën.  
 

Top Channel