Bedarin Toma, më 25 shkurt debutimi në ringun profesionist

24/02/2009 09:10

Pas Elvir Muriqit, një tjetër shqiptar ka tërhequr rreth vetes vëmendjen në ambientet e boksit përtej Atlantikut.

Bëhet fjalë për Bedarin “Rini” Toma, lezhjanin që konkurron në kategorinë e rëndë. Së fundmi, ai ka nënshkruar kontratë me promotorin e famshëm amerikan, Dino Duva, djali i të famshmit Lu Duva.

Më 25 shkurt (të mërkurën), Toma do të debutojë në ringun profesionist në “BB Kings” në Manhatan të Nju Jorkut, kundër Xhon Rabote. Në të kaluarën, shqiptari ka dueluar në Kuins dhe është shpallur dy herë kampion i turneut “Dorezat e Arta” në Nju Xhërsi.

Ai dallohet për goditjen e fortë dhe në debutim, përveç Dino Duvas ai do të ndihmohet edhe nga legjendari Lu. Të dy promotorët kanë shumë besim te potenciali i Tomës. “Kisha dëgjuar shumë fjalë pozitive për këtë djalosh dhe për sukseset e tij (në turneun ‘Dorezat e Arta’)”, ka thënë Duva. “Kur e takova për herë të parë, më konfirmoi se ishte i gatshëm që të kalonte në boksin profesionist. Disa miq tanë të përbashkët e kishin këshilluar që të punonte me mua dhe babanë tim. Sapo filluam të bisedonim, gjetëm menjëherë akordin dhe nënshtruam kontratën”.

Nju Jorku njihet si një zonë me komunitet të madh shqiptarësh dhe Tomës nuk i mungojnë mbështetësit.

“Ai ka goditje të jashtëzakonshme dhe kjo është e rëndësishme në boksin e kategorisë së rëndë në ditët e sotme, shtoi Duva. Tifozët i adhurojnë boksierët që dinë të godasin fort. Jam i bindur se ‘Rini’ do të përparojë shumë shpejt në këtë kategori. Gjithashtu ai gëzon mbështetjen e tifozëve shqiptarë, të cilët janë mjaft të zjarrtë. Mendoj se do ta shndërroj në yllin e ardhshëm të peshave të rënda”. Elozhet për 25-vjeçarin nuk i ka kursyer as Lu Duva, njeriu që në të kaluarën ka stërvitur apo ka punuar si menaxher i disa prej emrave më të mëdhenj, si Evander Holifilld, Majkëll Morer, Arturo Gati apo Lenoks Ljuis.

“Është një djalosh i fuqishëm dhe nuk i trembet duelit, tha Lu Duva. U dhuron tifozëve spektakël. Mendoj se mund t’ia dalë. Ka shumë talent”. Boksieri lezhjan, në anën tjetër, shprehet i kënaqur për marrëveshjen: “Jam shumë i lumtur. Kam fatin që nënshkrova me Dinon.

Jam shumë i emocionuar që do të boksoj në Nju Jork para familjes dhe miqve të mi. Sigurisht që jam nervoz, por jam i bindur që do të bëj paraqitje të mirë”. Toma jeton prej shtatë vitesh në SHBA, ku në të kaluarën është shpallur edhe tre herë kampion në mundje, në stilin greko-romak.

Top Channel