Ferguson: Argëtohem në polemika me “Mou”

23/02/2009 11:05

Pak orë para sfidës së Champions ndaj Interit, trajneri i Mançester Junajtid flet për kundërshtarin e tij në pankinën e zikaltërve: “Më pëlqen të mendoj për ‘polemikat’ me Murinjon, ai është i zgjuar dhe mund të fitojë shumë”.

 Ndërsa për sa i përket ndeshjes Ferguson veçon: “Do të kisha preferuar më mirë të mos përballeshim”

“Mes meje dhe Hoze Murinjos ka shumë situata psikologjike, jemi argëtuar, argëtohemi duke menduar për këto ‘polemika’. Mendoj se e bukura e këtyre sfidave është edhe niveli i lartë i këtyre dy skuadrave të mira në kontinentin evropian. Pas ndeshjes nuk përjashtohet që të harrohet ajo, çfarë ka ndodhur për gjatë 90 minutave lojë dhe të flitet për gjëra të tjera, që nuk kanë lidhje me futbollit.

Murinjo e ka treguar se, mund ta përballojë këtë lloj marrëdhënie me mua”. Kështu Aleks Ferguson, në një prononcim ekskluziv për “Sky”, komenton marrëdhëniet e tij me Hoze Murinjon, vetëm pak orë para sfidës së Champions mes Mançesterit dhe Interit. “Hoze është i zoti, është i ri dhe mund të fitojë shumë, sepse ka akoma shumë uri”, ka thënë sërish Ferguson, i cili nuk do të kishte preferuar të përballej me Interin në këto momente të kompeticionit më të rëndësishëm të kontinentin për klubet.

“Sinqerisht, do të kisha preferuar një tjetër skuadër, pasi do të jetë një ndeshje shumë, shumë e vështirë. Do të përballemi me një skuadër, që është ndërtuar këto 3-4 vitet e fundit dhe që ka fituar tre kampionatet e fundit në Itali. Ka lojtarë me eksperienca, mbi të gjithë, ata amerikano-jugorë, argjentinasit. Janë të ambientuar me lojën e ashpër. Do të jetë një ndeshje shumë e vështirë për Mançesterin. Ibrahimoviç? Gjithmonë ka treguar se ka një talent të madh dhe se ka një potencial të konsiderueshëm në rritje. Është një lojtar i ri, gjithmonë kam menduar se ai mund të bëjë gjëra të mira. Tashmë është në fazën, në të cilën po fillon të piqet si lojtar. Vjen një moment, në të cilin lojtarët e mëdhenj nxjerrin në pah gjithçka që kanë. Unë besoj se momenti i tij ka ardhur. Në të kaluarën ka qenë paksa jo konstant, por është një lojtar shumë i fortë fizikisht dhe sigurisht më bën të mos fle i qetë.

Sër Aleks tregon se çfarë ndeshjeje pret ndaj zikaltërve. ‘Do të varet nga disa faktorë: nëse dikush do të shënojë menjëherë, do të ketë një ndeshje të bukur. Por besoj se në fushë do të ketë një ndeshje shumë taktike, pa gola. Prandaj, do të jetë një natë shumë e gjatë. Do të duhet durim dhe përqendrim, sepse niveli është shumë i lartë”, ka thënë Ferguson, i cili mohon idenë e të qenit njeriu më i fuqishëm në botën e sportit. “Një herë që e lexova në një artikull të “The Times”, ku thoshte se, jam njeriu më potent në sport. Unë nuk jam njeriu më potent, as në shtëpinë time”.
 

Top Channel