Vlera e klubeve, nga “mosha” dhe trofetë

21/02/2009 10:00

Më mirë vonë, se kurrë. Kjo thënie do t’i shkonte për shtat vendimit të miratimit të procedurave të transformimit të klubeve sportive në shoqëri aksionare, të shumëkërkuar prej vitesh, por që vetëm dje ka hyrë në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.

Tashmë klubet sportive, që do të transferohen në shoqëri aksionare, do të funksionojnë në bazë të ligjit nr.9901, datë 14.04.2008, “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare”.

Procedura e transformimit të tyre fillon me daljen e urdhrit të titullarit të institucionit, në varësi administrative të së cilit është klubi sportiv. Kjo nënkupton që kthimi i klubeve në sh.a., do të bëhet vetëm pas urdhrit të kryetarit të bashkisë përkatëse, apo të institucioneve të tjera që e kanë në varësi një klub, si Ministria e Mbrojtjes në rastin e Dinamos, apo ministrit të Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve në rastin e Partizanit.

Më të favorizuar për transformimin në sh.a., janë drejtuesit aktualë të këtyre (gjithmonë nëse janë të interesuar), të cilët mund të mbajnë drejtimin e saj për sa kohë që do të jenë të rregullt në detyrimin e përcaktuar ndaj shtetit dhe institucionit në varësi, dhe do të ruajnë bilance pozitive.

Hapi i dytë do të jetë përcaktimi i kapitalit themeltar të këtyre shoqërive, që do të krijohet nga transformimi i klubit sportiv, i cili do të bëhet mbi bazë të: a) bilancit të vitit ushtrimor financiar, pararendës dhe b) emrit të klubit, të logos së tij dhe të vlerës, që do të jetë deri në masën 30 për qind të vlerës së kapitalit themeltar.

Kjo vlerë përcaktohet nga viti i krijimit të klubit, trofetë e arritura, pjesëmarrja në veprimtaritë kombëtare dhe ndërkombëtare. Përcaktimi i kapitalit të këtyre shoqërive bëhet nga një komision i ngritur pranë çdo klubi, me urdhër të titullarit të tij. Pas vlerësimit, të gjitha asetet e këtyre klubeve do të kalojnë në pronësinë e drejtuesit të vetëm, apo aksionerëve. Bilanci i çeljes së shoqërisë aksionare, krijuar nga transformimi i klubit sportiv, është bilanci i reformuar. Ky bilanc verifikohet dhe vërtetohet nga një ekspert kontabël, i autorizuar, i emëruar nga organi, që ka në varësi këtë klub.

Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë e Sportit (MTKRS) dhe Ministria e Ekonomisë, Tregtisë e Energjetikës (METE) do të ngarkohen të nxjerrin udhëzimin përkatës për përzgjedhjen e anëtarëve të komisionit të vlerësimit e të ekspertit kontabël të autorizuar, si dhe për përcaktimin e mënyrës së vlerësimit të aseteve, logos dhe kapitalit.

Këto dy ministri do të jenë edhe garanti i vendimit për transformimin e klube sportive në sh.a. Me ligjin e ri qeveria rrit kontrollin ndaj klubeve sportive, duke i detyruar që të ushtrojnë aktivitetin si “shoqëri tregtare”, i ndryshuar gjatë vitit 2008. Në bazë të këtij ligji, çdo veprim financiar i klubit duhet të pasqyrohet në bilanc, i cili dorëzohet brenda muajit mars të çdo viti. Në bazë të këtij bilanci, METE do të ketë mundësinë të kontrollojë më nga afër anën financiare të klubeve.

Ligji për shoqëritë tregtare përcakton rastin kur kompania duhet të shpallë falimentin. Nëse një klub sportiv dorëzon një bilanc me humbje për dy vjet rresht, Ministria e Ekonomisë urdhëron shpalljen e falimentin për këtë sh.a., dhe hap procedurat për gjetjen e aksionerëve të rinj, të cilët zgjidhen me ankand. Kështu shpresohet të mbyllet një kapitull i lodhshëm i sportit shqiptar, i cili në gjithë këto vite ka funksionuar thuajse në informalitet të plotë, por që tashmë duket se do t’i ketë më të hapura rrugët e zhvillimit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA