Sparta e Pragës kërkon të blejë Hamdi Salihin

21/02/2009 10:25

Hamdi Salihi është lojtari më i kërkuar shqiptar në këto momente. Skuadra më e fundit që është vënë në ndjekje të sulmuesit 25-vjeçar është Sparta e Pragës.

Presidenti Jozef Çovanec, i cili mban edhe postin e trajnerit, kërkon të përforcojë kontingjentin përpara fillimit të pjesës së dytë të kampionatit.

Me gjithë afrimet e shumta gjatë merkatos së janarit, ai pretendon të ketë në dispozicion edhe një mbrojtës, një mesfushor dhe një sulmues, edhe sepse vendi i katërt në klasifikim dhe diferenca me 10 pikë nga Slavia Praga kryesuese cilësohen të papranueshme. Për repartin ofensiv, në krye të listës së dëshirave është Salihi, i vlerësuar si një prej lojtarëve më të mirë në Austri.

Skuadra më e suksesshme në Evropën Qendrore, me 24 tituj kampionë të fituar në Çekosllovaki dhe 10 tituj në Republikën Çeke, kërkon të përfitojë nga fakti se merkato e transferimeve në “Gambrinus Liga” (kampionati vendas) ende nuk është mbyllur.

Sipas burimeve zyrtare të Ried, Sparta e Pragës ka bërë edhe një ofertë zyrtare për Salihin, për të cilin vetëm pak ditë më parë ishte interesuar Hanover 96, klubi gjerman ku prej më shumë se 10 vjetësh militon Altin Lala. “Sparta kërkoi ta blinte menjëherë Salihin, në mënyrë që ta kishin sulmuesin shqiptar në dispozicion për rifillimin e kampionatit. Ata kontaktuan menjëherë me menaxherin e Ried, Shtefan Raiter.

Gjithsesi, bisedimet e para mes palëve nuk kanë sjellë asnjë rezultat konkret. Por, fakti qëndron se në Republikën Çeke merkato është ende e hapur dhe transferimi i lojtarit nuk përjashtohet”, theksonte “OÖNachrichten.at”. Kalimi i Salihit në kampionatin çek nuk është përjashtuar as nga Raiter: “Natyrisht që nuk do të na pëlqente të largonim një prej lojtarëve tanë kryesorë tashmë që sezoni ka filluar. Koha më e mirë për transferimin e Salihit do të ishte kur merkato jonë të hapej. Por, kush e di se çfarë mund të ndodhë: nëse oferta është e kënaqshme për Riedin, Salihi mund të bëhet pjesë e Spartës”.

Në janar Salihi rinovoi kontratën me klubin austriak deri në vitin 2010, ndërsa më parë, për shërbimet e tij ishin interesuar edhe turqit e Bursaspor, qipriotët e Apollon Limason dhe Austria e Vjenës.

Top Channel