Altin Lala zbret më në fund në fushë

21/02/2009 10:10

Altin Lala, mesfushori i Kombëtares kuqezi dhe Hanoverit në Bundesligë, më në fund ndihet i rikuperuar plotësisht dhe sot do të zbresë në fushë, por jo në Bundesligë.

Mesfushori shqiptar i Hanoverit, përpara se të luajë në një ndeshje zyrtare me skuadrën e tij, ka nevojë për më shumë praktikë loje.

Për këtë arsye ai sot do të jetë pjesë e ekipit të Hanover 96 II, i cili militon në Regionalliga gjermane (kategoria e katërt) dhe që sot do të luajë në një ndeshje kundër Energi Kotbuz II. Vetëm 10 ditë më parë, 32-vjeçari shqiptar i është bashkuar skuadrës së Hanoverit për të zhvilluar seancën e parë stërvitore pas operacionit në shtyllën kurrizore (vuante nga probleme në hernien fiskale).

Ai i ishte nënshtruar operacionit më 26 nëntor 2008. Sipas gazetës prestigjioze gjermane, “Bild”, futbollisti 1.72 metra i gjatë, që mban nofkën “xhuxhi luftarak”, ka demonstruar një formë të mirë dhe një dëshirë të madhe për të luajtur ashtu si në kohët më të mira.

Por deri në rikthimin e zëvendëskapitenit të Hanoverit në skenën e Bundesligës do të duhet ende kohë. Rikthimi në lojën aktive është një lajm i mirë edhe për Kombëtaren shqiptare, e cila shpreson ta ketë në dispozicion më 28 mars, në ndeshjen ndaj Hungarisë në Tiranë. Lala ka munguar në barazimin 1-1 ndaj Maltës më 11 shkurt.

Top Channel