Dilaveri rizgjidhet president, MTKRS nuk e njeh

19/02/2009 10:25

Debati për kreun e Federatës së Gjimnastikës vazhdon.

 Gjithçka ka nisur me Asamblenë e 7 shkurtit, ku drejtuesi i ri i këtij sporti u shpall Aleksandër Biberaj. Këto zgjedhje nuk u njohën nga presidenti i mëparshëm Flobenc Dilaveri, por edhe nga Federata Botërore e Gjimnastikës (FIG).

Nëpërmjet një letre zyrtare, këta të fundit evidentonin ndërhyrjet politike, më konkretisht të MTKRS-së dhe pasi konfirmonin Dilaverin në postin drejtues, kërcënuan me masa që do të çonin deri në pezullimin e vendit tonë. Por, gjatë ditës së djeshme, FSHGJ zhvilloi një tjetër Asamble Zgjedhore, në të cilën ishin pjesëmarrëse gjashtë nga tetë klube.

Në përfundim, të mandatuarit “votëbesuan” presidentin Dilaveri, i cili në teori duhet të qëndrojë në krye të gjimnastikës edhe për një tjetër mandat. Gjithsesi, ky verdikt nuk është njohur nga Ministria e Sporteve, edhe sepse vetëm pak orë më parë, ministri Pango kishte firmosur emërimin e Biberajt. Rreth kësaj çështjeje, drejtori i sporteve, Vasil Bici, deklaroi: “Zgjedhjet në Gjimnastikë? Siç e dini ne kemi legjitimuar zgjedhjet e mëparshme dhe kjo nuk diskutohet. Gjimnastika e ka tashmë kreun e saj”. Rreth kërcënimit të presidentit të FIG, Bruno Grandi, për pezullim, Bici shtoi: “Nuk mund të hamendësoj se çfarë do të ndodhë në të ardhmen, por MTKRS-ja i ka bërë njohjet e saj”.

Top Channel