Vetëm “paqe” në miqësoren e Pavarësisë

18/02/2009 10:45

Ka vetëm paqe në fund të miqësores së pavarësisë. Rezultati i barabartë 1-1 pas 90 minutave lojë ka qenë edhe verdikti i takimi të luajtur dje në Kosovë mes FC Prishtinës dhe Dinamos së Tiranës, miqësore zhvilluar për nder të Ditës së Pavarësisë së Kosovës.

Rreth 10 mijë shikues ndoqën nga afër 45 minutat e para në ndeshjes, të cilat u mbyllën në barazim pa gola. Rastet për shënim kanë qenë të pakta.

Gjatë pushimit mes pjesëve, një numër i konsiderueshëm tifozësh braktisën tribunën, pasi humbën interesin për një ndeshje pa shumë emocione. Ndërsa në fraksionin e dytë të ndeshjes, rastet për shënim u shtuan dhe vetëm dy prej tyre përfunduar në rrjetë, nga një për secilën skuadër.

Gjatë 45 minutave të dyta në stadium ka mbërritur edhe Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu. Pikërisht pas këtij momenti kanë mbërritur edhe dy golat. Në minutën e 64-t, Dinamo kalon në avantazh me golin e argjentinasit Ruben Çeko.

Ndërsa Prishtina baraspeshoi rezultatin në 1-1 me Tahir Ademinin në minutën e 76-të. Asgjë nuk ndryshoi në minutat në vazhdim, duke e mbyllur sfidën me këtë rezultat. Të pranishëm në tribunë ishin edhe presidentët e FSHF-së dhe FFK (FSHF), përkatësisht Armand Duka e Fadil Vokrri dhe disa personalitete të tjera.

Pas takimit, trajneri i Dinamos, Shkëlqim Muça, u shpreh: “Ishte ndeshje që besoj u ka shërbyer të dyja ekipeve dhe argëtuese për publikun. Për vetë kushtet mendoj se pati ritmin e duhur”. Ndërsa trajneri i FC Prishtinës, Afrim Tovërlani, i cili e kishte marrë më seriozisht ndeshjen, nënvizoi se “Dinamo nuk qëndron më lart se FC Prishtina, për sa i përket cilësisë”.

Top Channel