Muriqi: Nuk heq dorë nga titulli

18/02/2009 09:45

Me disfatën përballë Klinton Vuds, Elvir Muriqi humbi shansin që të bëhej sfidant për titullin e kampionit të botës në versionin IBF.

Por, në paraqitjen e dobët të boksierit kosovar, ndikuan problemet me dokumentacionin, të cilat i lanë pak kohë që të ambientohej në Angli.

“Isha mjaft i përgatitur para duelit, por kisha probleme me dokumentet. Mendoja të arrija në Angli 8 ditë përpara ndeshjes, por për shkak të vonesave në marrjen e vizës u paraqita atje në datën 11 shkurt, ndërkohë që me Vuds do të ndeshesha më 14.

Gjatë kësaj periudhe të shkurtër nuk arrita të ambientohesha dhe nuk kam fjetur si duhet: në fakt, në ring isha si përgjumësh”, deklaroi “Kosovo Kid”. Boksieri nuk heq dorë nga ambicia e tij në peshën gjysmë të rëndë: “Me gjithë humbjet përballë Tarver dhe Vuds, konfirmova se i përkas elitës së boksit, vijoi Muriqi. Jam ende i ri. Tashmë do të më duhet të fitoj 2-3 duele për të arritur deri këtu ku isha dhe besoj se i kam të gjitha shanset që një ditë të shpallem kampion i botës”.

Top Channel