Duka konfirmon Ari Han

18/02/2009 11:00

Ari Han do të vazhdojë punën me Kombëtaren shqiptare deri në fund të eliminatoreve të Botërorit 2010. Pozitat e trajnerit në krye të stolit kuqezi janë konfirmuar nga presidenti i FSHF-së, Armand Duka, gjatë vizitës në Prishtinë, për festën e pavarësisë.

Deklarata erdhi gjatë miqësores ndërmjet kampionëve të Kosovës, FC Prishtina, dhe kampionëve të Shqipërisë, Dinamos, e cila u mbyll në barazim 1-1.

Kreu i futbollit në vendin tonë bëri të ditur se pavarësisht zhgënjimit për rezultatin 0-0 në Maltë, ndaj teknikut holandez nuk do të merren masa. 60-vjeçari nuk do të shkarkohet, edhe pse gjashtë pikët e plota kundër skuadrës më të dobët të Grupit 1 pretendoheshin dhe nuk ishin të pamundura.

Duka deklaroi: “E ardhmja e trajnerit Han? Ai është 100 për qind i sigurt në punën e tij. Barazimi pa gola në fushën e Maltës nuk i ka ndryshuar pozitat e trajnerit në krye të Kombëtares”. Kjo ishte përgjigjja e prerë e kreut të FSHF-së, për ata që kërkojnë “kokën” e trajnerit. Zhgënjimi për pikën në “Ta’ Qali” është i madh, ndërkohë që shije të keqe kanë lënë edhe zgjedhjet taktike të trajnerit. Han thirri në skuadër katër sulmues, ndërkohë që vazhdoi të luante vetëm me një lojtar në repartin ofensiv. Më 11 shkurt ai mbrojti me fanatizëm barazimin, nuk rrezikoi që të kërkonte tri pikët e plota, por mbi të gjitha nuk u paraqit i kthjellët dhe të kryente zëvendësime të pakuptimta (si ai i Vangjelit me Lilën, kur kishin mbetur edhe 10 minuta lojë dhe mund të aktivizonte një sulmues). Ndeshja me Maltën padyshim që do të ndikojë në momentin kur kontrata do të skadojë, por deri në atë kohë Han nuk lëviz. Kjo edhe sepse në rast të shkarkimit të trajnerit, Federata është e detyruar t’i paguajë paratë e parashikuara në kontratë (rroga fikse e holandezit është 200 mijë euro, por nuk mungon klauzola për shpërblime financiare për çdo pikë të marrë). Një veprim i tillë do të ishte “vetëvrasje” financiare, pasi do të paguheshin dy rroga, ajo e trajnerit të larguar dhe ajo e drejtuesit të ri të skuadrës.

Më tej, në prononcimin e tij, Duka uroi popullin e Kosovës për 1-vjetorin e pavarësisë, ndërkohë që preku edhe çështjen e njohjes ndërkombëtare për futbollin e shtetit më të ri evropian.

“Unë i uroj popullit kosovar festën e pavarësisë. Është një datë e rëndësishme dhe për mua është kënaqësi që ndodhem këtu me rastin e 1-vjetorit. Uroj që vitet në vazhdim të jenë të mbara për shqiptarët dhe futbollin kosovar”, vazhdoi kreu i FSHF-së. “Besoj se pranimi i Federatës së Kosovës do të ndodhë pasi Kosova të jetë pjesë e OKB-së. Ky është një kusht për të qenë anëtar i UEFA-s, por ky rregull nuk parashikohet nga statuti i FIFA-s. Aty pranohen si anëtare ato vende që njihen nga komuniteti ndërkombëtar, mirëpo nuk është përcaktuar nga sa për qind e shteteve”. FIFA ka 207 anëtarë, nga të cilat vetëm 55 e njohin shtetin e Kosovës.
 

Top Channel