Sporti shqiptar në festën e Kosovës

17/02/2009 10:25

Sporti shqiptar do të “zbarkojë” sot në Kosovë, me rastin e 1-vjetorit të Pavarësisë. Kampionët e Kategorisë Superiore, Dinamo, do të zhvillojnë një ndeshje miqësore me kampionët e shtetit më të ri në kontinent, KF Prishtina.

Në fund të ndeshjes, skuadra fituese do të marrë edhe një trofe simbolik. Prezenca e bluve është konfirmuar edhe nga klubi, që në një deklaratë zyrtare shkruante: “Dinamo shpreh kënaqësinë e jashtëzakonshme për pjesëmarrjen në këtë takim dhe përcjell urimet më të përzemërta për popullin e Kosovës në përvjetorin e Pavarësisë”. I pranishëm në këtë miqësore do të jetë edhe presidenti i FSHF-së, Armand Duka.

Por, futbolli nuk do të jetë sporti i vetëm në festën e Kosovës. Në fakt, një ekip me pesë boksierë, i drejtuar nga trajneri i Vllaznisë dhe njëkohësisht Kombëtares, Zef Gjoni, do të paraqitet në Prishtinë për të marrë pjesë në turneun ndërkombëtar, “Pavarësia”.

Në këtë aktivitet marrin pjesë edhe boksierë nga Kosova, Kroacia, Turqia, Maqedonia, Bosnjë-Hercegovina e Rumania.

Top Channel