Agustin Kola: Kjo Tiranë i ka forcat për të fituar

17/02/2009 10:15

Tiranës së Agustin Kolës i kanë mjaftuar vetëm 6 javë për t’u rikthyer në majën e renditjes, atje ku kishte qëndruar për një pjesë të mirë të fillimit të sezonit, por që e kishte humbur për kapriçot e saj.

Dhe këtë e ka bërë sa për meritë të vetën, aq edhe për gabime të Vllaznisë. Megjithatë nuk u duhet ngrënë haku bardhebluve.

“Më pëlqen kjo skuadër që pashë në ndeshjen e të dielës ndaj Besës. Synimi ynë ishte të mos dilnim pa trepikëshin nga Kavaja, dhe ia arritëm qëllimit”, thotë Kola.

Skuadra e tij e rimori më në fund kreun e renditjes falë ngritjes së nivelit të lojës, e cila po prodhon vërtet rezultate: Në këto 6 ndeshje kanë koleksionuar 5 fitore, një barazim dhe një lumë golash. “Tani jemi të parët, por ajo që vlen më shumë është se jemi përmirësuar shumë në lojë dhe rezultate”, u shpreh dje Kola, i cili pasi ka lënë pas euforinë e momentit të fitores, tashmë
është më i kthjellët në analizën që i bën lojës që Tirana serviri në javët e fundit.

Megjithatë ai tenton të jetë i përmbajtur në atë çfarë nxjerr nga goja, pasi, siç duket, dëshiron të shmangë çdo lloj influence për keq në mendjen e lojtarëve të tij. Dhe menjëherë parashtron edhe paralajmërimet se ky i tanishmi duhet konsideruar vetëm si një rifillim i mirë drejt realizimit të objektivave. Por që këtu e më pas vështirësitë do të jetë edhe më të mëdha.

“Sa më shumë i afrohemi fundit të sezonit, aq më shumë vështirësohen edhe ndeshjet. Në Kavajë fituam vetëm një betejë, por kemi beteja të tjera përpara, pasi kampionati nuk ka mbaruar”, thekson ish-futbollisti i njohur i bardhebluve, i cili në CV-në e tij si trajner dëshiron të shënojë edhe një kapitull të ri, atë të realizimit të ëndrrës së madhe: T’i japë titullin Tiranës në këtë sezon. Prandaj ai kërkon që të tijtë të mos neglizhojnë deri në takimin e fundit. “Të marrësh kampionatin, duhet gjithmonë të fitosh çdo ndeshje dhe të moslësh asnjë pikë rrugës”, nënvizon Kola.

Vllaznia do të mbetet rivali më i ashpër i bardhebluve në rrugën drejt titullit, por hapat i ka shtuar edhe Dinamo, e cila, me Shkëlqim Muçën në timon pretendon shumë më shumë se vendi i tretë në këtë sezon.

Top Channel