Muriqi humb shansin për titull

16/02/2009 09:10

Elvir Muriqi humbet shansin që të bëhet sfidant i Çad Douson për titullin botëror në peshën gjysmë të rëndë të versionit IBF.

Të paktën për momentin, 29-vjeçari nuk shfrytëzoi shansin më të mirë, pasi u mposht nga Klinton Vuds në duelin eliminator që u zhvillua të shtunën në mbrëmje në Xhersi të Anglisë. Edhe pse ka rezistuar deri në fund përballë ish-kampionit të kësaj peshe, “Kosovo Kid” nuk arriti të shpaloste të gjithë potencialin e tij.

Vuds ka dominuar pjesën më të madhe të ndeshjes, të cilën ai vetë e kishte cilësuar “për jetë a vdekje”. Anglezi, i cili ka pasur mbështetjen e madhe të tifozerisë, fitoi me vendim unanim të gjyqtarëve (119-110, 117-111, 117-111).

Tashmë, 36-vjeçari ka edhe një duel të fundit për të pretenduar të kthehet në majat e boksit, atë kundër Douson, sfidë që sipas të gjitha gjasave do të zhvillohet në fund të këtij viti. Për sa i takon Muriqit, që regjistroi humbjen e pestë në 39 duele dhe të dytën si profesionist, e ardhmja nuk duket kaq e ndritur, pasi ai rrezikoi të bjerë në klasifikimin e versionit IBF.

Boksieri i lindur në Kosovë, por që jeton dhe stërvitet në SHBA hyri në ring i bindur se fituesi do të ishte pikërisht ai. Kjo edhe pas paraqitjes së jashtëzakonshme në duelin e tij të fundit, ku u mposht mes polemikave nga ish-kampioni, Antonio Tarver.

Ndoshta në humbjen e Muriqit ka ndikuar edhe vlerësimi i pakët për kundërshtarin: në fakt, Klinton Vuds kishte deklaruar se në rast humbjeje (duke marrë në konsideratë edhe moshën e madhe), do të tërhiqej nga duelet. “Kosovo Kid” dominoi raundet e para të duelit, por me kalimin e minutave situata ndryshoi. “Plakushi” Vuds filloi të fitonte terren, duke përmbysur superioritetin e Muriqit, i cili dukej në vështirësi për të mbajtur ritmin e kundërshtarit. Edhe pse arriti të qëndronte në këmbë deri në kambanën e fundit, boksieri i cili konkurroi sërish me shqiponjën me dy krerë të stampuar në pantallona, në fund e kishte të qartë se ishte mposhtur. Shpeshherë ai detyrohej të mbështetej në litarët e ringut, sepse kombinimet e kundërshtarit ishin mjaft të fuqishme.

Top Channel