Filipi, gol në fitoren e Ravenës

16/02/2009 10:45

Brian Filipi, sulmuesi i Kombëtares Under-21, po konfirmohet si një lojtar mjaft i vlefshëm për Ravenën në Serinë C1 A. 20-vjeçari, kartoni i të cilit është në pronësitë Palermos, ka shënuar të dielën në sfidën kundër Lumecanes.

I aktivizuar si zëvendësues në minutën e 60-të, Filipit nuk i është dashur shumë kohë që të ingranohet në lojë. Vetëm tri minuta më pas, ai ka kërcyer më lartë nga të gjithë, duke dërguar në rrjetë një harkim të Trotës.

Sulmuesi kuqezi ka pasur mundësi të shënojë edhe në minutat e mbetura të takimit, por pa arritur të gjejë sërish rrjetën. Në fund të ndeshjes, ai tha: “Arritëm një fitore të bukur dhe shumë të rëndësishme. Po stërvitemi mirë dhe ndjekim me përpikmëri udhëzimet e trajnerit. Nëse hyjmë në fushë me këtë mentalitet mund të pretendojmë diçka më shumë sesa thjesht mbijetesa.Në aksionin e golit tim, Trota tregoi klasin e tij, duke harkuar në mënyrë të mrekullueshme. Mund të kisha shënuar edhe disa minuta më vonë, por gjuajtja nuk ishte aq e mirë”.

Top Channel