Paolo Maldini: Ky, derbi im i fundit

14/02/2009 10:25

Derbi i fundit. Duket e pamundur, por është e vërtetë: ndeshja e së dielës kundër Interit do të regjistrojë prezencën e fundit të Paolo Maldinit në supersfidën e Milanos.

 “Të dielën luaj derbin tim të fundit”, tha kapiteni legjendar i Milanit. “Në fakt, tani që jemi në fazën e dytë të kampionatit, çdo ndeshje kundër çdo skuadre, do të jetë e fundit për mua. Kjo më bën të ndihem krenar. Ëndërroj ta fitoj derbin tim të fundit, do të jap gjithçka për ta realizuar. Triumfi përballë Interit do të na ndihmojë në luftën për titull”.

Maldini ka luajtur në mbi 50 takime kundër Interit dhe mban rekordin e të gjitha kohërave për këtë ndeshje. Nëse do të numëroheshin të gjitha ndeshjet ku ai ishte prezent, do të duheshin orë të tëra për t’i treguar. Çdo përballje ka histori dhe kujtime të veçanta: të bukura dhe të shëmtuara.

Disa janë të paharrueshme, ndeshje ku kuqezinjtë kanë realizuar përmbysje të jashtëzakonshme, ndërsa në raste të tjera, humbja ka ardhur për mungesë fati apo përqendrimi. Për Maldinin, kjo “është një ndeshje kaq e rëndësishme, sa çështjet personale kalojnë në plan të dytë”.

Përmbysja

Kur mungojnë vetëm pak orë nga ndeshja e madhe, kapiteni i Milanit thotë: “Besoj se mund ta fitojmë titullin kampion dhe të përmbysim dizavantazhin që kemi me Interin.

Në takimin e së dielës, do të hyjmë në fushë me impenjimin e një ndeshjeje kupe, e cila duhet fituar me patjetër, për të vazhduar më tej. Për më tepër që Milani ka treguar gjithmonë se di të fitojë në sfidat e rëndësishme”.

Tri pikët mund të vendosin vazhdimësinë e të besuarve të Ançelotit në kampionat, edhe sepse në këto momente diferenca nga kryesuesit është e madhe dhe në rast rezultati negativ, rrezikon të rritet edhe më shumë.

“Tetë pikë diferencë nga Interi nuk janë pak, përkundrazi. E filluam keq sezonin dhe ishim të pafat për shkak të dëmtimeve të shumta. Gjithsesi, në krahasim me vitin e kaluar, kemi bërë hapa të mëdha përpara, shtoi Maldini. Mendoj se ky është një sezon pozitiv, i cili do të bëhej i jashtëzakonshëm me fitimin e titullit”.

Përfaqësuesja

Rikthimi në Kombëtaren italiane do të ishte mënyra më e mirë për të mbyllur një karrierë si ajo e Maldinit. Nëse në të ardhmen do të krijohen kushtet e duhura, 40-vjeçari mund të zhvillojë një ndeshje lamtumire me “axurrët” (fanellë me të cilën ka luajtur 126 takime) dhe më pas t’i përkushtohet familjes.

“Nëse do të ma propozonin një ndeshje lamtumire, nuk do të më vinte aspak keq, pohon mbrojtësi. Kam biseduar me trajnerin Marçelo Lipi, i cili më ka telefonuar sepse kjo ide është diskutuar prej tij. Ai u shfaq i gatshëm dhe i lumtur që të më rezervonte një aktivizim të fundit me Kombëtaren. Të shohim nëse koha do të ma lejojë një gjë të tillë. Përfaqësuesja ka përpara dy ndeshje kualifikuese në Botërorin 2010, ndërsa më pas vjen Kupa e Konfederatave. Do të jetë e vështirë që të organizohet: nëse sfida e lamtumirës realizohet mirë, në të kundërt nuk ka asnjë problem”.

Top Channel