Han: Nuk matemi dot me Portugalinë dhe Suedinë

14/02/2009 09:50

Nëse mund të quhen surprizë dy barazimet 0-0, me Suedinë në Tiranë dhe me Portugalinë në Braga, atëherë mund të thuhet se pas dështimit në Maltë, tashmë Kombëtarja e ka humbur edhe atë imazh të krijuar në fillim të eliminatoreve.

Madje, pas asaj që ka parë me sytë e tij në stadiumin “Ta’ Qali”, është dorëzuar edhe vetë trajneri Ari Han. Edhe ai beson se, Shqipëria e tij nuk mund të bëjë më surpriza në këtë grup. Këtë e ka shprehur në një prononcim të dhënë për gazetën malteze “Times of Malta”.

“Suedia dhe Portugalia janë dy skuadra shumë të mira, të një niveli të lartë, sqaron Han pas barazimit të turpshëm në Maltë. Është vërtet shumë e vështirë për Kombëtaret si Shqipëria apo Malta, që të matemi dhe të konkurrojmë me skuadra si këto”.

Trajneri holandez i përfaqësuese sonë nuk e ka fshehur aspak se, edhe ai vetë ka mbetur disi i habitur nga loja e skuadrës sonë ndaj një kundërshtari modest, si ai i së mërkurës.

Ndërkaq në Shqipëri, tashmë mendojnë se e kanë gjetur fajtorin e madh: gishti tregues i të gjithëve drejtohet nga trajneri Han. Barazimi me Maltën mund të rezultojë fatal për Shqipërinë në ecurinë e mëtejshme të eliminatoreve të Botërorit 2010.

Me këtë rezultat befasues dhe shumë zhgënjyes, kuqezinjtë jo vetëm që i kanë thënë përfundimisht lamtumirë ëndrrës për një kualifikim të mundshëm në evenimentin më të madh të futbollit në botë, por tashmë kanë kompromentuar edhe shanset për të përmbushur objektivin, që i vunë vetes në fillim të eliminatoreve: arritjen e vendin të katërt.

Me 6 pikë pas 5 ndeshjeve (në vendin e tretë), por me një takim më shumë se rivalët, vendi i katërt është më se i rrezikuar. Përpara na presin ndeshje të vështira si përballja e dyfishtë ndaj Danimarkës apo ndeshjet e kthimit ndaj Portugalisë dhe Suedisë. Një shpresë vogël për t’u rikthyer në garë për vendin e 4 është vetëm fitorja përballë rivalit direkt për këtë pozicion, Hungarinë, të cilën e presim të na kthejë vizitën më 28 mars. 

Top Channel